LAJMI I FUNDIT:

Komponentët homerikë në Kanunin e Lekë Dukagjinit

Komponentët homerikë në Kanunin e Lekë Dukagjinit

Nga: Ndriçim Kulla

Në shumë nene kanuni, histori jete të dokumentuara e në akte të jashtëzakonshme burrnie të treguara nëpër libra e kuvendime, mikpritja shqiptare është një medalje ari e përjetshme e kulturës dhe zakoneve shqiptare. Po të shohim faqet e “Iliadës” së Homerit, gjejmë mjaft episode ku përbujtja arrin deri në pikën sa të shuajë e të zhdukë plotësisht edhe armiqësitë më të thella; në to “armiku më i rreptë që të msyn derën porsi mik, âsht i pritun si t’ ishte shoq e vllá”.

Ja p.sh. në librin VI të “Iliadës”, “jemi në fushë të Trojës ku është ndezë e vlon lufta ndërmjet grekëve e dhe trojanëve. Glauku, i biri i Hipolokut, depërton në mes të çetave të trojanëve dhe drejtohet fíll e kah të madhit Diomed. Para se të niste luftimi, Diomedi mendon me vete: Mos është vallë ky ndonjë hyjní, pse një njeri i zakonshëm nuk do të guxonte të matej me mua? Ndaj nis e pyet: Or burri i dheut, më difto kush jé? Prej rrëfimit të Glaukut u pa se i lidhte bashkë një miqësi e madhe, sepse dikur Eneu, gjyshi i Diomedit, për njëzet ditë kish përbûjtë në shtëpi të vet Belerofontin, gjyshin e Hipolokut, duke i dëftyer edhe plot nga dhuntitë e tij. S’u desht tjetër, e të dy luftëtarët kërcejnë nga qerret luftarake, ja shtrëngojnë dorën shoqishojit, tue dhanë fjalën se s’kishin për të luftuar më mes tyre, madje shkëmbejnë edhe armët në mes njëri-tjetrit.”


Gjejmë mjaft ngjashmëri zakonesh të tjera shqiptare, si elemente homerike në lanunin e Lekë Dukagjinit, i gjejmë në disa pjesë të “Iliadës”, por, në fillim le të përmendim analizën e disa vargjeve të librit XVIII dhe përshkrimin e hollësishëm që i bën Homeri mburojës të Akilit. Kjo për një arsye vendimtare: në librin XVIII, në vargjet 497-508, Homeri përshkruan një skenë gjyqi, pjesë që ka mbetur e famshme në historinë e së drejtës sepse përfaqëson dëshminë e parë të shkruar se si funksiononte e drejta në Greqinë e lashtë, me këshillin e pleqve, dhe ku jepet një e dhënë thelbësore për mënyrën se si vepronte hakmarrja-gjakmarrja, si një krim (gjakësi) i kryer që e kapërcente forcën e ligjit të pashkruar të asaj kohe. “Në këtë skenë, pleqtë (gjyqtarët) apo këshilli i pleqve, rrinin ulur mbi gurë, në një rreth dhe secili mbante në dorë një bastun (skeptër) që përfaqësonte simbolin e pushtetit dhe të autoritetit. Ky proces zhvillohej sipas rregullave të përcaktuara, ku çdo njëri prej pleqve-gjykatës gëzonte të drejtën e radhës për të shprehur sentencën, pra, për të shpallur vendimin në mënyrë të pavarur. Vendosja e pleqve në rrethin e shenjtë, si e quan Homeri, evokon barazinë ndërmjet pleqve, pra, barazia e shenjtë e demokracisë helene.” Ky përshkrim i asamblesë popullore në Agora, që ka bërë Homeri tek “Iliada”, përkon me atë të kuvendit që përcakton Kanuni i Lekë Dukagjinit në librin XI, në nyjën 141, §1002, ku sanksionohet barazia demokratike: “Plak mbi plak, gjyq mbi gjyq dhe bé mbi bé kanûja nuk bân.”

Pleqtë e mbledhur në kuvendet tona, rrinin të ulur në rreth në mënyrë që secili të shikonte tjetrin, ndërsa pjesa qendrore e sheshit mbetej e lirë. Të gjithë pjesëmarrësit në kuvend i mbanin armët të mbështetura në prehër, ose i vinin në tokë anash, por asnjëri nuk mund t’i përdorte dhe në rast se ndodhnin provokime e fyerje të rënda. Prapa pleqve në kuvend qëndronte populli, që ndiqte diskutimet e mentorëve.

Ashtu si në të drejtën e Greqisë se lashtë dhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit, nëpërmjet Këshillit të Pleqve shprehej pushteti oligarkik, ndërsa me Agorën dhe me kuvendin shprehej pushteti demokratik i vegjëlisë (i popullit). Në kuvendin arbëroro-shqiptar, pleqtë flisnin me radhë (njëlloj si e përshkruan Homeri) dhe kur njëri fliste, të gjithë të tjerët ishin të detyruar të dëgjonin në heshtje. Gjatë debatit në kuvendin arbëroro-shqiptar, ishin të ndaluara fjalët ofensive, nuk lejohej të shahej dhe as të fyhej tjetri, madje nuk lejohej as ta ndërprisje kur flisnin në mënyrë të gabuar. Kush vepronte në kundërshtim me këto rregulla, ndëshkohej rëndë.

Kryetarët e familjes dhe të fisit, kishin të drejtë të thërrisin kuvendin për të lidhur marrëveshje, për të gjykuar, për zgjidhje konfliktesh gjakmarrjeje, por, gjithmonë në bazë të Kanunit: “Kryetari nuk mund të gjykojë e as nuk mund të marr vendime në kundërshtim me Kanunin” (libri XI, nyja 142, §1152 i Kanunit të Lekë Dukagjinit), ndërsa në §1004 theksohet: “Pleqtë e krenët e flamurit nuk mùnd të kpusin kurrnji gjyqi e nuk mùnd të gjiobisin kënd në katund, pa i pasë me vedi pleqt e strapleqt e katundit, në të cillin gjindet fajtori.” Pra, Kanuni i Lekë Dukagjinit e kufizon pushtetin autokratik të kryetarëve të familjes, ndërsa duke thirrur kuvendin sanksionon karakterin demokratik të këtij institucioni.

Krahas pleqve (senatorëve sipas të drejtës romake) dhe kryetarëve të fiseve (fisnikët) (§ 146, KLD), në Kuvend mund të thërriteshin dhe persona të tjerë që shquheshin për mençuri, pra ekspertë në çështjet gjyqësore, sidomos kur kërkohej zgjidhje e problemeve delikate të hakmarrjes-gjakmarrjes, ose për pagesën e gjakësit etj. Kjo ngjashmëri e Kanunit me ngjarjen e përshkruar tek “Iliada”, tregon se zgjidhja e homicidit (vrasja për gjakmarrje) bëhet nga komuniteti me një proces gjyqësor publik dhe jo nga vetë personat.

Në “Iliadën” e Homerit tregohet se si dy persona, nuk e kishin zgjidhur konfliktin mes tyre për aktin e gjakmarrjes, prandaj i drejtohen për ndihmë istorit (vargu 501, në“Iliada”), që në greqisht do të thotë “ai që i sheh të gjitha”, pra kërkojnë ndihmë nga ekspertët me synim të njohin pèirarin, një fjalë që në greqisht do të thotë ata që njohin kufirin e fajit. Pra, nëse është një ngjarje private, apo ngjarje për zgjidhje publike”. Rolin e ekspertit istor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në ngjarjet e gjakmarrjes, Homeri e tregon dhe në librin XXIII të “Iliadës”, në vargun 486, kur thërritet Agamemnoni për zgjidhjen e konfliktit të Ajaksit me Hidomeneon.”

Një skenë e ngjashme përshkruhet edhe në tragjedinë “Eumenidët” të Eskilit, ku gjykimi i Orestit, që vrau nënën e vet Klitemnestra (gruaja e Agamemnonit), iu ngarkua një gjykate mentorësh athinas, proces ky i quajtur aeropago. Në fakt, aeropago ishte një forum i cili nga viti 624 p.e.s. përfaqësonte asamblenë e pleqve, që funksiononte si gjykata për zgidhjen e gjakmarrjes, por me Efialten dhe Perikliun në vitet 462-461 p.e.s., fuqia e aeropagosit u kufizua duke u marrë vetëm me zgjidhjen e krimeve të lidhura me sakrilegjet dhe vrasjet me dashje.

Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, në rastet e mosmarrëveshjeve ndërmjet dy fshatrave, dy familjeve, në grindjet e dy personave, e në veçanti në rastet e hakmarrjes-gjakmarrjes, menjëherë aktivizohej fisi me kryefamiljarët dhe më pas pleqtë e fshatit të cilët pasi analizonin ngjarjen, ndërhynin për pajtimin e palëve. Në rastet e gjakmarrjes, kur familja fajtore kërkonte besën, ndërhynin menjëherë pleqtë e fshatit të cilët ndërmjetësonin për besën e parë për 24 orë e më pas për besën e dytë për 30 ditë. Siç kuptohet, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, konflikteve dhe gjakësive (hakmarrje-gjakmarrje) nuk i lihej spontanitetit, nuk trajtohej si një ngjarje personale, por si dukuri publike.

Ashtu si në Greqinë e lashtë dhe në popullin shqiptar, funksiononte sistemi i istorëve, i ekspertëve pajtues që përfaqësoheshin nga kryefamiljarët e çdo shtëpie të fshatit dhe nga këshilli i pleqve mentorë të mbledhur në Kuvend. Në mënyrë të veçantë, kur fshati ose krahina (bajraku) ndodheshin në luftë me pushtuesit e huaj, kuvendi vendoste “armëpushim” mes personave dhe familjeve që ishin në konflikte e në gjak (hakmarrje-gjakmarrje). Për, rrjedhojë pjesëtarët e familjeve në konflikt i jepnin besën njëri-tjetrit dhe së bashku shkonin në luftë si një organizim kompakt e i qëndrueshëm. Këtë fakt na e dëshmon Marko Boçari në kujtimet e tij, i cili duke respektuar vendimin e këshillit të pleqve, i fali gjakun kapedan Xhavellës dhe së bashku e krah për krah luftuan me heroizëm kundër osmanëve.

Kuvendet arbërore-shqiptare të mbledhura për gjykime të rasteve të tilla, mbylleshin me një vendim, pra, me sentencën finale duke shprehur në mënyrë demokratike mendimin kolegjial dhe unanim të pleqve dhe në rastet kur kishte mendime të ndryshme, shpallej vendimi i shumicës. Jo rrallë, pajtimi i gjaqeve mbyllej me pajtimin dhe vllaznimin e dy personave dhe familjeve në gjak, që kryhej me një ceremoni tepër solemne dhe emocionuese. Në këto raste pleqësia mblidhte fshatin e njëri nga pleqtë thërriste të dy të zotët e shtëpive, ose të dy personat e implikuar në gjakmarrje, e pasi i lidhte secilit gishtin e vogël, i bënte një prerje të vogël me thikë në mollëzën e gishtit dhe pikat e gjakut i hidhte në një gotë me verë ose me raki e të dy personat që do të paqetoheshin pinin verën e njëri-tjetrit, duke i kryqëzuar duart e kësisoj shpalleshin vëllezër. Kjo ceremoni shekspiriane zhvillohej në një atmosferë urimesh nga të gjithë pjesëmarrësit, të shoqëruara me të shtëna pushkësh.

Edhe një tjetër komponent homerian mund të lidhet me fenomenin e hakmarrjes. Homeri e fillon “Iliadën” me vargjet e drejtuara muzës, që e fton të këndojë për zemërimin e Akilit: Këndoni o Hyj për mèninë fatale të Pelide Akilit, që vrullshëm shpërtheu …

Në këto vargje, ndeshemi me fjalën pellazgo-iliro-shqiptare mènine (mëria, mënia), që tregon zemërimin e Akilit i cili i mbante mëni Agamemnonit, sepse ai i kishte rrëmbyer skllaven dashnore Briseida. Ky veprim i Agamemnonit e kishte poshtëruar Akilin para akejve, i kishte plagosur rëndë krenarinë, për çka ai u zemërua dhe u tërhoq nga luftimet kundër trojanëve. Kur e njoftuan për vdekjen e Patroklit (kënga XVI), e harroi zemërimin dhe zgjodhi fatin të shkojë të dyluftojë kundër Hektorit, për të marrë hakun e mikut. Pra, siç kuptohet, mesazhi i Homerit është i qartë, nuk ishte lavdia e luftëtarit që e nxiti Akilin të kthehet në betejë, por ndjenja e hakmarrjes për vrasjen e Patroklit nga Hektori. Me këtë veprim, Akili e kapërceu dhimbjen e u hodh në aksionin e hakmarrjes, për të shlyer detyrimin moral ndaj mikut dhe për t’i bërë atij një varrim dinjitoz. Vendimin për t’u hakmarrë (për gjakmarrje), Akili e shpalli dhe ia miratoi kuvendi i komandantëve që Homeri e përshkruan hollësisht në librin XIX, në vargjet 67-68”.

Si e përshkruan Homeri, Patrokli shkoi në dyluftim me Hektorin i veshur me armaturën e Akilit, e cila mbeti në duart e trojanëve. Në këtë situatë, Thetis, e ëma e Akilit, iu drejtua për ndihmë perëndisë Hefest të cilit i kërkoi t’i farkëtonte armë të reja dhe një mburojë të re për Akilin. Hefesti, së bashku me ciklopët, punoi me dedikim gjatë gjithë natës në derdhjen e metaleve dhe në farkëtimin e mburojës së famshme.

Mburojën që Akili e përdori në dyluftimin me Hektorin trojan, e ka përshkruar në mënyrë të mrekullueshme Homeri në librin XVIII të “Iliadës”, në vargjet 671-843, që është shembulli i parë i ekfrazisit (përshkrimi në artet figurative i një vepre ose i një ngjarjeje historike). Ky përshkrim, i pari në letërsinë botërore, ka shërbyer si model referimi edhe për autorë të tjerë të lashtësisë, si për Hesiodin, që ka përshkruar mburojën e Herakliut (Aspis Herakleous), për Virgjilin që përshkruan mburojën e Eneas në librin VIII tek “Eneida”, por ka frymëzuar edhe autorë modernë, si poetin britanik Wystan Hugh Auden i cili në vitin 1952, në poemën “The Shield of Achilles”, përshkruan në vargje mburojën e Akilit.

“Struktura rruzullake e mburojës përmban imazhe perëndish, luftëtarësh, kafshësh dhe pasqyron jetën, njerëzimin dhe botën e asaj kohe, të riprodhuar në dimensionet e një qyteti ideal (polis), të shtrirë në formë rrethore. Zbukurimet e mburojës vendosen në nëntë rrathë koncentrikë. Duke filluar nga qendra në drejtim të periferisë, subjektet e gdhendura në metaljanë respektivisht:

1. Toka, Qielli dhe Deti; Dielli, Hëna dhe Yjet;
2. Dy qytete me njerëz të zakonshëm, një skenë martesë, një proces gjyqësor dhe një betejë;
3. Një tokë e lëruar për të tretën herë;
4. Pronat e mbretit, ku grumbulloheshin të korrat;
5. Një vreshtë me vjelësit e rrushit;
6. Një tufë me mëzata (viça) të sulmuar nga dy luanë;
7. Një tufë delesh në kullotë;
8. Disa të rinj duke vallëzuar;
9. Një lumë i madh – oqeani, që mbyll rrethin e mburojës.

Siç kuptohet, në përbërje të mburojës është përfshirë dhe një proces gjyqësor, të cilin Homeri e vendos në përbërje të qytetit helen të kohës dhe jo të një qyteti mikenas. Por, gjëja më e çuditshme, është fakti që në këtë skenë mungon mbreti që, siç dihet, në ato kohë e kishte çdo qytet (polis), e i cili kishte rol qendror në jetën publike siç rezulton në pasazhe të tjera të “Iliadës” (libri II, vargjet 204–206) apo ashtu si na figurohet në rrethin e katërt të mburojës ku mbreti vëzhgon e kontrollon mbledhjen e të korrave. Në ato kohë të lashta, mbreti ishte dhe gjykatësi suprem, pra ushtronte drejtësinë, ku sentencat e dhëna prej tij ishin të paapelueshme.

“Në mburojën e Akilit, të përshkruar nga Homeri, mungesa e figurës së mbretit, është zëvendësuar nga pleqtë, pra më saktë me këshillin e pleqve të ulur rreth e qark, të cilët flasin me spektër në duar, që është simbol i pushtetit. Shumë helenistë mendojnë se mbreti ua kishte deleguar pushtetin kryetarëve të familjeve që administronin çështjet për interesa jo pushtetore, ndërsa studiues të tjerë mendojnë se në atë kohë këshilli i pleqve ishte pjesë e qeverisjes oligarkike të qyteteve (polis), të cilët ushtronin edhe drejtësinë.” Nuk gabohemi, kësisoj, të themi se pleqtë ishin anëtarë të oligarkisë qytetare, që e kishin zëvendësuar pushtetin e mbretit. Nga këto dëshmi të Homerit kuptohet se komuniteti grek në lashtësi ishte i angazhuar vetë në zgjidhjen e krimeve të gjakmarrjes, duke ia hequr këtë të drejtë individëve të përfshirë dhe duke ia atribuuar jo gjykimit monarkik, por kolegjit të gjyqtarëve, pra këshillit të pleqve.

Në Kanunin e Lekë Dukagjinit, ky aspekt është evidencuar qartësisht duke ia dhënë këtë të drejtë pleqënisë dhe jo kryetarit të familjes dhe as bajraktarit. Në librin XI në §1004 theksohet: “Pleqt e krenët e flamurit nuk mùnd të kpusin kurrnji gjyqi e nuk mùnd të gjiobisin kend në katund, pa i pasë me vedi pleqt e strapleqt e katundit, në të cillin gjindet fajtori.” Askush nuk mund të dilte mbi kanunin, as krefamiljari, as bajraktari. Asambleja e pleqve ushtronte pushtet të fuqishëm në trojet tona.

Pra, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, fshatrat dhe krahinat funksiononin si një konfederatë e gjerë republikane, ose si një republikë me të vërtetë demokratike dhe në të njëjtën kohë aristrokratike. Është demokratike, sepse siç kemi thënë, kryetari i saj përveçse ka të njëjtat detyrime dhe të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër, është njëkohësisht dhe përgjegjës direkt i çdo padrejtësie, ose pakujdesie që mund t’u shkaktojë dëme familjeve të tjera, sa herë që së bashku me kryetarët dhe pleqtë e fshatit ndërhyjnë për zgjidhjen e saktësimin e konflikteve, që kanë lindur në atë fshat dhe që ende kanë mbetur pezull, të pazgjidhur. Është aristrokatike, sepse vetëm kryetarët e familjeve të tjera të fshatit që formojnë senatin e krahinës, kanë të drejtë ta përfaqësojnë dhe të vendosin në mënyrë kolegjiale, ndërsa anëtarët e tjerë e përfaqësojnë familjen vetëm me autorizimin e kryetarëve të saj. Me fjalë të tjera, në këtë republikë aristrokratike dhe demokratike, populli gjykon dhe vendos me kryetarët e saj ose me këshillin e pleqve, që shpallnin sentencat.

Nëse do të shkëputeshim për një çast nga ideja kohë dhe do ta vështronim qytetërimin grek apo konfederatat e para romake, në thelbin e tyre të vërtetë do të kuptojmë se Republika e Athinës e Perikliut, e këtij prijësi pa pallate, nuk ishte tjetër veçse fiset e dikurshme iliro-shqiptare me kompetenca dhe atribute, që në Shqipëri mbetën ende në gjirin e familjes. Do të mjaftonte vetëm kjo konsideratë, për të konfirmuar çfarë kemi thënë dhe mbështetur, pra se qytetërimi greko-romak i ka rrënjët thellë në forcën e mrekullueshme të atij mentaliteti të spikatur juridik që e karakterizoi popullin e lashtë para-helen, që me njerëzit më të mençur të fisit të vet, pra me pleqtë, vuri bazat e këtyre qyteteve të para (polis e civitas), të cilat duke u zhvilluar e forcuar, çliruan dhe përhapën atë dritë që sot quhet qytetërimi evropian. Si përfundim, mund të themi se paralelet midis kulturës helene dhe të drejtës së lashtë greke në kanunet e maleve (bazuar në studimin krahasimor të veprave homerike) e konstatojmë në këto parime themelore:

– në funksionimin e gjyqit me këshillin e pleqve;
– në organizimin e kuvendit të një gjyqësie;
– në sistemin e zbatimit të hakmarrjes-gjakmarrjes;
– në krijimin e aleancave;
– në mbajtjen e fjalës së dhënë.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
KANGË

KANGË

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
DURIMI

DURIMI

Fjala+
Kalo në kategori