LAJMI I FUNDIT:

Po vjen një video-lojë e re Pokemon – në vend që t’i ndiqni ‘krijesat’, tani duhet të flini

Po vjen një video-lojë e re Pokemon – në vend që t’i ndiqni ‘krijesat’, tani duhet të flini

Me sloganin “Turn your sleep into fun”, kompania japoneze që menaxhon ekskluzivitetin “Pokemon”, me të njëjtin emër do të prezantojë gjatë verës një video-lojë të re, “Pokemon Sleep”, qëllimi i së cilës është të bëni një gjumë të qetë.

Me lojën e mëparshme “Pokemon Go”, lojtarët, duke përdorur telefonin e tyre celular, gjuanin “krijesa” të vizatuara që mund t’i shihnin në hapësirën e brendshme dhe të jashtme.

Por tani nuk do të ketë nxitim, por “sa më gjatë të flini, rezultat më të mirë do të merrni në mëngjes”, njoftoi kompania për video-lojën e re “Pokemon Sleep”, e cila do të dalë në shitje këtë verë në mbarë botën.


Adhuruesit e Pokemonit do të mund të blejnë gjithashtu Pokemon GO Plus – një vegël në formë Pokeball që mund ta vendosin pranë jastëkut të tyre, ndërsa “zëri i Pikachu dërgon mesazhe të ëmbla kur është koha për të fjetur ose për t’u zgjuar”.

Pokemon Go, i prezantuar në vitin 2016, ishte një sukses në mbarë botën. Video-loja falas përdor vendndodhje satelitore, grafikë dhe kamera për të veshur personazhet vizatimorë me botën reale, dhe qëllimi është që lojtarët të kapin “krijesa monstruoze” që u shmangen me shkathtësi.

Lojtarët entuziastë u akuzuan edhe për shkaktimin e aksidenteve rrugore dhe kryerjen e veprave të tjera, ndërsa bredhin rrugëve me hundën e shtypur në telefon.

Pokemon ka qenë një hit në mbarë botën që nga viti 1996 kur u prezantua në konsolën Nintendo Game Boy. Franshiza, etiketa e së cilës është “Duhet t’i kapësh të gjithë”, përfshin filma dhe një shfaqje televizive të animuar jashtëzakonisht të popullarizuar. /Telegrafi/