LAJMI I FUNDIT:

Komisioni Evropian merr vendim për ndalimin e TikTok-ut tek stafi

Komisioni Evropian merr vendim për ndalimin e TikTok-ut tek stafi

Stafi që punon në Komisionin Evropian është urdhëruar të fshijë aplikacionin TikTok nga telefonat e tyre dhe pajisjet e korporatës.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, komisioni tha se po zbatonte masën për të “mbrojtur të dhënat dhe për të rritur sigurinë kibernetike”.


TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, është përballur me akuzat se mbledh të dhënat e përdoruesve dhe ia dorëzon qeverisë kineze.

Megjithatë, TikTok këmbëngul se nuk funksionon ndryshe nga mediat e tjera sociale.

Shefi i industrisë së Bashkimit Evropian, Thierry Breton tha në një konferencë shtypi se ekzekutivi i unionit është shumë i fokusuar në sigurinë kibernetike, duke refuzuar të japë detaje të mëtejshme.

Ndalimi do të thotë gjithashtu se stafi i Komisionit Evropian nuk kanë të drejtë ta përdorin TikTok-un në pajisjet personale që kanë të instaluar aplikacione zyrtare.

Komisioni thotë se ka rreth 32,000 punonjës të përhershëm dhe me kontratë.

Ata duhet të fshijnë aplikacionin sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se 15 mars.

Për ata që nuk respektojnë afatin e caktuar, aplikacionet e korporatës – si e-maili i komisionit dhe Skype për Biznes – nuk do të jenë më të disponueshme.

TikTok tha se vendimi i komisionit bazohej në ide të gabuara për platformën e tij.

“Ne jemi të zhgënjyer me këtë vendim, i cili besojmë se është i gabuar dhe i bazuar në keqkuptime themelore”, tha një zëdhënës. /Telegrafi/