LAJMI I FUNDIT:

Petritsch: Vuçiq dhe Thaçi “t’i japin fund Luftës së Parë Botërore”

Petritsch: Vuçiq dhe Thaçi “t’i japin fund Luftës së Parë Botërore”

Ish përfaqësuesi special i BE-së për Kosovën dhe ish-përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, Wolfgang Petritsch, ka thënë se është i rëndësishëm fakti që Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, dy liderët kryesorë nga Ballkani, morën pjesë në ceremoninë për të shënuar njëqindvjetorin e Luftës së Parë Botërore në Paris.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Petritsch ka komentuar faktin se ndër udhëheqësit e botës në një tubim në kryeqytetin francez ishin edhe dy presidentët, ai i Serbisë dhe ai Kosovës, duke thënë se “në Ballkan, edhe pas njëqind vitesh konflikti, i cili filloi nga një konfrontim austriako-serb, ky konflikt nuk ka mbaruar”.


“Shpresoj se të dy, me këto festime kanë marrë mesazhin se vetëm një Evropë e bashkuar mund të zgjidh çështjet e Ballkanit, çështje që vazhdojnë ta mundojnë rajonin. Që kjo të bëhet realitet, është e nevojshme që të dy të vijnë deri në një kompromis historik, duke i dhënë fund Luftës së Parë Botërore”, ka thënë diplomati austriak.

Mediat kujtojnë faktin se Petritsch vazhdimisht ka pretenduar se “ekziston rreziku i konfliktit të ngrirë në Kosovë” dhe është nga personat që avokuar publikisht për “korrigjime administrative” si një zgjidhje të mundshme të çështjes së Kosovës. /Telegrafi/