Deri te zgjedhjet presidenciale në Real Madrid kanë mbetur edhe tre ditë dhe, nëse fiton Florentino Pérez, trajner i ri i “Los Blancos” pritet të jetë José Mourinho.

Prej kohësh është raportuar se “Special One” e ka arritur marrëveshjen për rikthim në “Santiago Bernabéu” dhe se po pritet vetëm që magnati i ndërtimit ta sigurojë një mandat të ri.


Tani këtë e ka konfirmuar zyrtarisht edhe Benfica, e cila ka bërë të ditur se Real Madridi – në rast të fitores së Pérez – do të paguajë 15 milionë euro për lirimin e trajnerit portugez.

Klubi nga Lisbona, si kompani me aksione që tregtohen në bursën portugeze, ka detyrim ligjor të informojë publikun për transaksione të tilla financiare.

Pérez, ndërkohë, e “zbuloi” marrëveshjen me Mourinhon të mërkurën mbrëma përmes një videoje të shkurtër të publikuar në rrjetet sociale nga shtabi i tij zgjedhor.

Në pamje shfaqej Mourinho me fanellën e Real Madridit dhe vetëm një fjalë: “Po”, ndërsa mesazhi shoqërues ishte: “Ka ende shumë histori për t’u shkruar”.

Klauzola e lirimit të Mourinhos ka qenë një nga pikat më të diskutuara për rikthimin e tij të mundshëm në Madrid. Fillimisht ishte përfolur shifra 7 milionë euro, por për shkak të vonesës së realizimit të marrëveshjes si pasojë e shpalljes së zgjedhjeve, Real Madridi – nëse Pérez fiton – do të duhet të paguajë më shumë se dyfish për ta angazhuar trajnerin.

Sipas raportimit, pas largimit të Mourinhos, Marco Silva do të jetë pasuesi i tij te Benfica. /Telegrafi/

telegrafi sport app