Madje, Ylli u kualifikua edhe në “Final-Four” të Kupës, të cilin e organizoi vetë. Ndërkaq, tash, therandasit e prenë biletën për “Play-Off”, duke e lënë jashtë një gjigant si Trepça, të cilin e mposhtën bindshëm në duelin e fundit të kampionatit të rregullt. Trajneri Agron Berisha ishte ndër më meritorët e këtij suksesi. Ai e pranon se nuk e kishte pritur një sukses të tillë, por shton se me punë janë arritur të gjitha.

“Ne e kemi kuptuar se do të marrim pjesë në Superligë vetëm një javë para fillimit të sezonit. Nuk kishim kohë të organizoheshim dhe të përgatiteshim si duhet. Në fillim, është e qartë se nuk na ka shkuar mendja tek ‘Play-Offi’. Por, me kalimin e kohës, me punën e bërë, jemi komponuar dhe na është shtuar morali, kështu që kemi arritur këtu ku jemi sot”, thotë Berisha për “Zërin”.


“Përparësi e jona ishte se nuk e kishim pretendim kryesor rezultatin. Ne ishim ekipi më simpatik i këtij kampionati dhe e kemi hijeshuar atë, pasi kishte rënie të shikueshmërisë. Ne arritëm relativisht lehtë në ‘Play-Off’, pasi skuadrat tjera u dorëzuan më herët. Nuk kemi bërë ndryshime në ekip, i kemi mbajtur lojtarët e njëjtë gjatë tërë sezonit dhe ky ishte njëri prej çelësave kryesorë”, vazhdoi trajneri therandas.

telegrafi sport app