Feronikelin e pret njëri prej dueleve më të rëndësishëm të sezonit, pasi e viziton sot Mitrovicën për t’u përballur me Trepçën ’89 vendëse.

Skuadra nga Drenasi ka epërsi prej 5 pikësh ndaj Prishtinës dhe një fitore eventuale ndaj “Xehetarëve” do ta afronte këtë skuadër edhe më shumë me titullin e kampionit.


Trajneri, Gani Sejdiu, thotë se skuadrës së tij i nevojitet më shumë se maksimumi për të dalë mirë nga Mitrovica dhe për ta bërë një hap tjetër gjigant drejt titullit. Megjithatë, ai është i vetëdijshëm se ekipi i tij nuk ka punë aspak të lehtë ndaj skuadrës së Afrim Tovërlanit.

“E kemi vërtetuar edhe ndaj 89-shit se mund ta mposhtim këtë skuadër, edhe kur ishte ende në garë për titull. Nuk diskutohet se është një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari mjaft cilësor. Trepça ’89 është e shkarkuar psikikisht dhe luan si vendës, prandaj e ka këtë përparësi. Por, ne e kemi përparësinë e motivit shtesë që e kemi, tek i cili duhet të bazohemi dhe të fokusohemi”, tha trajneri, Gani Sejdiu, për “Zërin”.

“Ne duhet ta japim 200-përqindëshin dhe një fitore eventuale do të na afronte me titullin, pasi kanë mbetur pak lojë. Por, humbja e as barazimi nuk do të na humbnin gjasat, pasi mbesim në vendin e parë”, vazhdoi ai.

Baliqi: Luajmë për fitore

Emin Baliqi, futbollist i Trepçës ’89, siguron se skuadra e tij do të luajë për fitore dhe se nuk i intereson matematika e dikujt tjetër, se a i nevojiten pikët skuadrës kundërshtare.

“Ne gjithmonë e kemi shikuar punën tonë dhe jemi munduar të fitojmë, qoftë në shtëpi apo si mysafirë. Edhe pse i kemi humbur gjasat për titull, do të mundohemi të fitojmë. Ne gjithmonë ua kemi prishur planet skuadrave që e synojnë titullin”, tha Baliqi për gazetën.

Trepça ’89 ka siguruar se nuk do t’ia lëshojë lojën “Niklit”.

Për këtë kishte garantuar për “Zërin” ditë më parë drejtori i klubit mitrovicas, Ilir Bojku, sipas së cilit, 89-shi ua ka prishur llogaritë Prishtinës dhe Besës dhe se do të mundohet ta bëjë një gjë të tillë edhe ndaj Feronikelit.

Ndërkohë, Prishtina do të jetë mysafire e Hajvalisë në kërkim të “hakmarrjes” për humbjen e shkaktuar në ndeshjen e fundit.

“Bardhekaltrit” i duan tri pikët, duke shpresuar që “Nikli” do të kiksojë në Mitrovicë. Kurse, Besa po ashtu llogarit në fitore ndaj Drenicës, por me sytë, mendjen dhe shpresën kah Mitrovica.

telegrafi sport app