Punimet në këtë projekt kanë nisur vite më parë, por gjatë fazës së implementimit kanë rrjedhë me ritëm të ngadaltë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Shala ka vizituar sot Deçanin, me qëllim që të shohë nga afër rrjedhën e punës së ndërtimeve. Ai tha se MKRS disponon tërë shumën e nevojshme për finalizimin e palestrës sportive dhe për fazën e dytë të punimeve në stadium. Ndërsa për finalizimin e stadiumit, Shala tha se do të bëhet vitin e ardhshëm.


Përgatitja për hapësirat sportive në Deçan ka filluar vite më parë. Por, sipas ministrit Shala, janë kompanitë e ndërtimit ato që kanë ngecur në punime.

Shala: Presim që hapësirat të jenë gati në vitin e ardhshëm

“Duket që gjatë këtij viti ka pasur një dinamikë tjetër të punimeve, më të përparuar në palestren sportive, dhe nëse punimet do të ecin sipas kësaj dinamike, ne llogarisim që do të finalizohen brenda vitit të ardhshëm. Ndërsa sa i takon stadiumi t, ne sivjet do të finalizojmë fazën e dytë dhe pastaj do të vazhdojmë investimet vitin tjetër edhe me fazën e tretë në mënyrë që përpos terrenit, të përshtasim edhe infrastrukturën përcjellëse dhe që ai të jetë një objekt në gjendje që të përballojë garat”, tha ai.

MKRS tani ka buxhet të ndarë vetëm për fazën e dytë të stadiumit dhe për finalizimin e palestrës sportive, pra të holla që janë pjesë e buxhetit të 2015-ës. ndërkaq, në viti ne ardhshëm do të financojë fazën e tretë, finale, të përgatitjes së stadiumit.

Ministrin Shala në Deçan e priti kryetari i kësaj komune, Rasim Selmanaj, i cili tha se pret që projektet e nisura këtu të përmbyllen gjatë vitit të ardhshëm.

Selmanaj: Po ndodh një zhvillim jashtëzakonisht i madh

“Jemi këtu që të shohim si po zhvillohen punimet në ndërtimin e palestres sportive dhe të fushës së madhe të futbollit. Këto dy projekte janë nisur më herët, kemi pasur shumë sfida, mirëpo mendoj që po ndodh një zhvillim jashtëzakonisht i madh sa i përket sportit sepse Deçani, jo më larg se vitin e ardhshëm, falë përkahjes së ministrit aktual, do t’i përmbyllë këto dy projekte në tërësi”, tha ai.

Selmanaj tha se ky projekt arrin shumën rreth 2 milionë euro.

Që nga viti i ardhshëm, pritet që Deçani të ketë hapësirat e veta sportive, investim ky i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

telegrafi sport app