Francesca Scorsese, vajza e regjisorit të njohur Martin Scorsese, ka reaguar publikisht ndaj komenteve negative që ka marrë në rrjetet sociale pas përfshirjes në serialin “Mr. and Mrs. Smith”.

Në një video në TikTok, 26-vjeçarja tha se ishte përballur me komente fyese për pamjen e saj, të cilat i cilësoi si të tmerrshme.


Ajo pranoi se mbiemri i saj i ka hapur dyer në industri, por theksoi se vazhdon të punojë fort për karrierën e saj, shkruan DailyMail.

Francesca renditi disa nga komentet që kishte marrë në rrjet dhe u shpreh se njerëzit shpesh fokusohen vetëm te pamja e jashtme.

Ajo shtoi se situata e trishton më shumë për mënyrën si trajtohen vajzat në internet sesa për veten e saj.

Pas reagimit të saj, aktorja mori mbështetje nga ndjekësit dhe figura të njohura, mes tyre edhe Ashley Benson, e cila i shkroi se urrejtësit gjithmonë do të urrejnë.

Francesca Scorsese së fundmi është bërë pjesë e kastit të sezonit të dytë të serialit “Mr. and Mrs. Smith”, ndërsa më herët ka debutuar edhe si regjisore me filmin e shkurtër “Fish Out of Water”. /Telegrafi/