LVV rimerr mandatin e 52, PDK bie për një deputet


(E përditësuar) - LVV dhe PDK po zhvillojnë një garë të ashpër për një mandat derisa votat e diasporës vazhdojnë të numërohen.
Pas numërimit të kutisë së 102 LVV ka rikthyer sërish mandatin e 52, duke zbritur PDK-në për një mandat.
Ndryshe kanë mbetur edhe 121 kuti votimi nga diaspora për t'u numëruar që u përkasin komunave të ndryshme të Kosovës.

PDK rikthen mandatin e 23, LVV bie në 51 deputetë
Zhvillime interesante po ndodhin derisa po numërohen votat e diasporës.
PDK ka rikthyer mandatin e 23 duke kthyer LVV-në në 51 ulëse.

LVV shkon në 52 mandate, PDK humb një deputet
Lëvizja Vetëvendosje ka shtuar një ulëse në Kuvendin e Kosovës pas përditësimit të rezultateve nga numërimi i votave të diasporës, duke e çuar numrin e mandateve në 52.
Kur janë numëruar rreth 45 përqind e votave me postë LVV ka shtuar edhe një mandat deputeti.
Sipas rezultateve të fundit, LVV-ja ka marrë 344 mijë e 176 vota ose 45.48 për qind të votave, duke siguruar kështu 52 ulëse në legjislaturën e re.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka rënë në 22 mandate, me 152 mijë e 157 vota apo 20.11 për qind, duke humbur një ulëse krahasuar me ndarjen e mëhershme të mandateve.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) renditet e treta me 129 mijë e 714 vota ose 17.14 për qind, që i përkthehen në 19 ulëse në Kuvend.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 52 mijë e 466 vota apo 6.93 për qind, duke mbetur me shtatë mandate parlamentare.
Rezultatet e përditësuara pas numërimit të votave të diasporës kanë ndikuar në shpërndarjen e mandateve, duke i dhënë Lëvizjes Vetëvendosje një mandat shtesë në Kuvend, në dëm të PDK-së.






































