eksperti-banner

Ka përfunduar procesi i rinumërimit në Qendrën e Numërimit të votave dhe Rezultateve, i cili kishte për qëllim sigurimin e procesit të numërimit të fletëvotimeve.

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të përgatis një raport të detajuar lidhur me gjetjet për secilin vendvotim dhe sipas gjetjeve, zyrtarët e KQZ-së do njoftojnë organet kompetente për të ndërmarrë masat e tyre.


Në një konferencë për media, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se tashmë duhet të priten ankesat lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit në QNR, që të shpallen rezultatet përfundimtare.

“Në ora 12:00 është përmbyllur procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, 185 sosh, për të cilat ka marrë vendim KQZ që të rinumërohen. Të dhënat nga ky proces i rinumërimit janë përditësuar në platformën e KQZ-së për rezultate. Me përfundimin e rinumërimit mund të konstatojmë se KQZ ka përmbyllur administrim e procesit që përfshin aktivitete në QKN si dhe në QNR. KQZ është i gatshëm që tani të bëj shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, pavarësisht që kemi zhvilluar edhe më herët, duhet të presim nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit në QNR”, tha Elezi.

Po ashtu, ai bëri të ditur se KQZ do të kërkojë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, nëse ka ndonjë ankesë e cila është në shqyrtim.

“Para shpalljes së rezultateve si zakonisht KQZ do të kërkoj konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse ka ndonjë ankesë e cila është në shqyrtim. Gjithashtu, ju njoftoj për procesin e rinumërimit, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të përgatis një raport të detajuar lidhur me gjetjet për secilin vendvotim, sepse siç dihet qëllimi i rinumërimit është pikërisht të sigurohemi se procesi i numërimit të fletëvotimeve në QKN është zhvilluar me saktësi ashtu siç është vullneti i votuesve në fletët e votimit”, tha ai.

Për çdo gjetje të dyshimtë në procesin e rinumërimit, Elezi tha se do njoftohet Prokuroria.

“Të gjitha aktiviteteve të QNR por edhe në QKN janë transparente, mund të vërehen vazhdimisht gjetje në tavolina të numërimit. Këto gjetje që edhe ju mund t’i vëreni, natyrisht se do të evidentohen në raportin, i cili do përgatitet nga QNR-ja. Ky raport do të jetë i detajuar për secilin vendvotim. I njëjti do tu dërgohet anëtarëve të KQZ-së për shqyrtim dhe natyrisht për vendimmarrje. Të gjitha ato çështje të cilat janë vërejtur gjatë këtij procesi të rinumërimit, nëse ka pasur dyshime për ndonjë keqpërdorim atëherë zyrtarët e KQZ njoftojnë zyrtarët e organeve kompetente për të ndërmarrë masat e tyre”, tha Elezi.

Afati për ankesa nga kandidatët për deputetë do të jetë 48 orë nga ora 12:00 e pasdites të ditës së premte. /KP/