eksperti-banner

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë zbuluar detaje të reja nga memorandumi i mirëkuptimit të nënshkruar me Iranin.

Bëhet e ditur se Teherani ka pranuar lëshime të rëndësishme në këmbim të lehtësimeve të mundshme të sanksioneve, ndërsa SHBA mban ende praninë e saj ushtarake në rajon.


Sipas informacioneve të bëra publike, Uashingtoni do të vazhdojë të mbajë forcat e dislokuara në Lindjen e Mesme pas operacionit të zhvilluar në shkurt.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se tërheqja e trupave do të merret në konsideratë vetëm pasi Irani të ketë përmbushur plotësisht angazhimet e tij dhe të arrihet një marrëveshje përfundimtare, shkruan skynews.

Në aspektin ekonomik, SHBA është shprehur e gatshme të lehtësojë sanksionet dhe të lirojë disa fonde të ngrira, duke i cilësuar këto si “gjeste të vogla” në kuadër të një procesi të ndërsjellë. Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë theksuar se nuk do të ketë marrëveshje të fshehta dhe se transparenca do të jetë e plotë gjatë gjithë procesit negociator.

Në prapaskenë, presidenti amerikan, Donald Trump ka nxitur përfshirjen më të drejtpërdrejtë të zëvendëspresidentit JD Vance në negociata, duke e cilësuar procesin si të “drejtuar nga maja e administratës”.

Raportohet gjithashtu për tensione diplomatike mes SHBA-së dhe Omanit, i cili është akuzuar nga Uashingtoni për qasje “të dyfishtë” në negociata. Për këtë arsye, janë hapur kanale të reja komunikimi përmes Pakistanit dhe Katarit, me ndihmën e kontakteve të Vance, të cilat kanë mundësuar lidhje me kryetarin e parlamentit iranian, Mohammad Ghalibaf.

Në raportin amerikan thuhet gjithashtu se Irani ndodhet në një gjendje të dobësuar ekonomike dhe ushtarake, ndërsa programi i tij bërthamor është “kryesisht i shkatërruar”. Sipas tyre, ka gjithashtu sinjale për ndryshime brenda qasjes politike të Teheranit ndaj udhëheqjes së tij supreme.

Zyrtarët amerikanë kanë sqaruar edhe faktin se, ndryshe nga marrëveshjet ndërkombëtare tradicionale, Udhëheqësi Suprem i Iranit nuk i nënshkruan personalisht këto dokumente.

Marrëveshja është nënshkruar nga presidenti amerikan dhe përfaqësues iranianë në nivel të lartë, për të formalizuar angazhimin e palëve.

Ndryshe, Irani ka publikuar verzionin e vet të marrëveshjes me amerikanët, ku përfshihet edhe heqja e sanksioneve. /Telegrafi/