Aksidenti me motor që ia ndryshoi planet, flet për herë të parë Sinan Vllasaliu


Këngëtari Sinan Vllasaliu ka folur për herë të parë rreth aksidentit që pësoi javën e kaluar, një ngjarje që i shkaktoi lëndime serioze dhe e detyroi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Në një intervistë për Prive në Klan Kosova, artisti rrëfeu se gjithçka ndodhi brenda pak çastesh, duke e bërë të pamundur reagimin në kohë.
“Ka ndodhur shumë shpejt. Nuk di si ta shpjegoj saktësisht. Kur e pashë këmbën, e kuptova menjëherë që diçka nuk ishte në rregull. Ishte një kthesë, pak shi dhe terren i rrëshqitshëm. Nuk po lëvizja me ndonjë shpejtësi të madhe, por kur je me motor, çdo shpejtësi mund të jetë e rrezikshme”, u shpreh ai.

Vllasaliu tha se ka qenë me fat që në ato momente pranë tij ndodhej një mik anesteziolog, i cili i ofroi ndihmën e parë dhe ndikoi që situata të mos përkeqësohej.
“Po të mos ishte reaguar menjëherë atë ditë, pasojat mund të kishin qenë shumë më të rënda. Jam mirënjohës për ndihmën që mora në ato momente”, tha këngëtari.
Për shkak të aksidentit, ai nuk arriti të marrë pjesë në një ngjarje shumë të veçantë, dasmën e këngëtares me famë botërore Dua Lipa.
Sipas tij, organizimi ishte bërë muaj më parë dhe gjithçka ishte koordinuar në detaje.
- YouTube www.youtube.com
“Me Dugin jemi takuar në mars dhe e kishim planifikuar këtë angazhim prej kohësh. Ishte një kënaqësi dhe nder i madh të isha pjesë e një feste të tillë.
Familja Lipa është një shembull i shkëlqyer për shqiptarët dhe përfaqëson vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Megjithëse mungesa në këtë ceremoni i ka mbetur peng, Vllasaliu thotë se e sheh gjithçka si pjesë të një plani më të madh.
“Unë besoj se çdo gjë ndodh për një arsye. Mbi të gjitha, jam falënderues që situata nuk përfundoi më keq dhe që tani jam në rrugën e rikuperimit”, deklaroi artisti. /Telegrafi/















































