Krasniqi, i cili edhe më herët e kishte drejtuar klubin nga kryeqyteti, sot është prezantuar si trajner i ri i Prishtinës, pas largimit të Bylbyl Sokolit.

Ai është shprehur optimist se pavarësisht dallimit prej tetë pikësh ndaj liderit të tabelës, Ferronikelit, gara për titull ende është e hapur.


“Unë e kam pas marrë drejtimin e Prishtinës në kohët më të vështira që po i kalonte. Sigurisht që ju kujtohet kur nga pozita e parafundit, brenda gjashtë muajve patëm përfunduar në vendin e dytë. Ne i kemi 8 pikë më pak sesa lideri, por janë edhe dhjetë xhiro deri në fund, dhe gjithçka mund të ndodh, sepse futbollit nuk i dihet. Nëse futbollistët e japin maksimumin nga vetja, tregojnë guxim e karakter fituesi, atëherë mund ta arrijmë”, deklaroi Krasniqi gjatë prezantimit para mediave, raporton Zëri.

Ndërkohë, ende pa i takuar mirë lojtarët, ai ua bëri me dije atyre se fanella e Prishtinës peshon rëndë, kështu që nëse nuk e bartin me përgjegjësi, do të ndëshkohen.

“Janë dhjetë xhiro deri në fund, të cilat do të shërbejnë edhe për futbollistë që të dëshmohen. Ata që nuk tregojnë guxim, përkushtim, karakter fitues, sigurisht se do të largohen. Fanella e Prishtinës peshon. Ajo duhet të djersitet mirë dhe fort. Futbollistët duhet ta dinë se Prishtina nuk lufton për mbijetesë e mes të tabelës, por vetëm për titull dhe për fitore në çdo ndeshje. Për çdo futbollist është vështirë të luajë në Prishtinë, sepse këtu luhet veç për fitore, kështu që ata duhet ta japin maksimumin”, u shpreh Krasniqi, duke shpreh respekt për paraardhësin e tij, Bylbyl Sokoli, shkruan Zëri. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app