Feronikeli po e bën mrekullinë në këtë Kampionat, duke udhëhequr në pjesën më të madhe të sezonit. Pas fitores ndaj rivalit lokal, Drenica, “Nikli” u shkëput në tetë pikë ndaj rivalit kryesor për titull, Prishtina, dhe gjashtë më shumë se Besa.

“Me siguri se Feronikeli e ka një përparësi, karshi skuadrave tjera. Mirëpo, kah fundi i Kampionatit, çdo lojë është e vështirë, pasi luajnë skuadrat që luftojnë për titull kundër atyre që duan të mbijetojnë. Nëse vazhdon kështu, Feronikeli është shumë afër titullit”, deklaroi trajneri Hysni Maxhuni për “Zërin”.


Megjithatë, ai ju jep “gajret” edhe skuadrave tjera. “As Prishtina nuk është se i ka humbur gjasat. Kjo skuadër po ka krizë të rezultateve, por po luan mirë. Po i mungon vetëm konkretizimi para portës. Gjithashtu, edhe Besa ka shumë gjasa për titull”, vazhdoi trajneri i njohur.

Edhe trajneri Bekim Isufi i jep përparësi Feronikelit karshi ekipeve tjera. “Duke e parë formën e mirë, seriozitetin, vazhdimësinë dhe disiplinën, po shihet se Feronikeli është ekipi më serioz dhe është e vështirë të mendohet se mund ta lëshojë kreun nga duart”, thotë trajneri gjilanas për gazetën.

Sipas tij, gabimet në ndeshjet e fundit mund t’i kushtojnë Prishtinës me humbje të titullit.

telegrafi sport app