Golden Eagle Ylli pas shumë vjetësh u rikthye në elitën e basketbollit të Kosovës. Edhe pse nuk ka skuadër shumë me përvojë, suharekasit angazhuan tre amerikanë, sollën Eris Nushin dhe Urim Zenelaj për të formuar një ekip stabil që të matet me skuadra më të ‘vogla’, por për të lënë mbresa edhe te kundërshtarët e fortë. Ylli në çdo ndeshje po përkrahet nga një numër rekord i shikuesve, ku interesimi për basketboll është shumë i madh, raporton gazeta SportPlus.

Trajneri Agron Berisha, thotë se atmosfera në Suharekë për basketboll është e jashtëzakonshme. “Atmosfera në qytetin tonë në dy vitet e fundit është e jashtëzakonshme për basketboll. Të jemi realist se nuk e kemi pritur që këtë vit të jemi pjesë e elitës, por sapo na u dha mundësia ne konkurruam dhe siguruam një vend. Për këtë arsye jemi organizuar shumë shpejt dhe kemi formuar një ekip stabil”, ka thënë Berisha për ‘Sport Plus’.


‘Xhebrailat’ të jashtëzakonshëm

Tifozët nga Suhareka ‘Xhebrailat’ po përkrahin maksimalisht skuadrën e Yllit në çdo ndeshje.

“Kemi përkrahjen e madhe nga tifozët tonë. Palestra jonë ka kapacitet prej 1300 vendeve, por në ndeshjen me Pejën, kemi pasur 2 mijë tifozë. Ata na kanë përkrahur jo vetëm me Pejën, por edhe në përballjet tjera. Atmosfera është e jashtëzakonshme”, theksoi Berisha. Edhe skuadrat kundërshtare, si Bashkimi dhe Peja e kanë falënderuar për mikpritje skuadrën e Yllit.

Golden Eagle Ylli momentalisht ndodhet në vendin e gjashtë me pesë pikë të tubuara. /Telegrafi/

Rezultatet e Yllit:

G. E. Ylli-Kosova e Re Bashkimi 66:80
G. E. Ylli-Kastrioti 91:75
Vëllaznimi – G. E. Ylli 68:64
G. E. Ylli - Peja 73:102 

telegrafi sport app