Ata akuzojnë Kelmendin, i cili sipas tyre ua mori nga 15-18 euro për fanellat që kushtonin 6 euro, 6 euro për kontrollim mjekësor i cili këtë vit ishte gratis, dhe nga 15 euro për tutat sportive që s’u blenë kurrë. Kelmendi i quan akuzat shpifje.

Bekim Pantina, që po mundohet t’i ndihmojë klubit, duke luajtur rolin e sekretarit të Llamkos Kosovës, tregon për keqpërdorimet që ai i ka zbuluar që prej ardhjes në klub javë më parë.


“Abdullah Kelmendi, u ka kërkuar nga gjashtë euro për kontrollim mjekësor fëmijëve të grupmoshave, kurse kontrollimet janë pa para. I ka blerë fanellat nga gjashtë euro, kurse fëmijëve për to ua ka marrë nga 15 euro”, thotë Pantina për Arenën, që ndryshe njihet me nofkën Taleci.

Krahas kësaj, ai zbulon se si shumat e shpenzimeve janë bërë ekstravagante nga Kelmendi. “Një gel për lojtarët është blerë pesë euro, në shpenzime është shkruar 50 euro. Një xham i thyer kushton nga dy deri në 10 euro, varet nga dimensionet, ai e ka shkruar 120 euro”.

Pantina në gjithë këto akuza përfshin edhe djalin e Avdullahit, Lutfinë. Keqpërdorimet e mëdha sipas tij janë bërë me lojtarët nga mosha 8-17 vjet.

Fevzi Veseli, babai i dy fëmijëve që i luajnë në klub shpreh indinjatën e tij me vjedhjen e parave. Djali i tij i madh, Besarti, luan në ekipin e parë të seniorëve.

“Na i kanë marrë nga gjashtë për kontrollim mjekësor, kurse ai ka qenë pa para. Pastaj, 15 euro na i kanë kërkuar për fanella, të cilat janë blerë nga gjashtë euro. Këto janë fakte të gjalla, që vijnë nga vendi ku janë blerë fanellat. Ka pasur keqpërdorime të hatashme aty. Abdullah Kelmendi është pasuruar me paratë tona”, tregon Veseli.

Kelmendi: Të gjitha janë shpifje

I akuzuari, Abdullah Kelmendi, momentalisht nuk po e ushtron detyrën e sekretarit në klub, pasi thotë se kanë ardhur njerëz të tjerë dhe ai ka marrë pushim. Sidoqoftë, Kelmendi mohon kategorikisht akuzat, për të cilat thotë se janë shpifje.

“Ata që kanë folur nuk janë kërkushi, madje as që po i njoh. Fundja, nuk ka nevojë askush të më akuzojë, sepse klubi është privat. Ata kurrfarë fakti nuk kanë për të akuzuar dikë. Këto janë të gjitha shpifje. Janë rrena që nuk kanë kurrfarë baze. Unë jam në pushim dhe me këto gjëra nuk merrem derisa të vjen pronari i klubit”, thekson Kelmendi, që prej shumë vitesh është pjesë e klubit vushtrrias. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app