Vazhdon bashkëpunimi i gjigantit turk, Sivasspor me klubet kosovare. Përfaqësues të klubit turk kanë vizituar Dritën, me ç’rast edhe kanë vënë hapat e para të bashkëpunimit.

Me lejen e presidentit Husein Kaptan, menaxheri dhe përfaqësuesi i sponsorit kryesor të klubit ‘Kaptanlar Grup’, Mehmet Yarar, ka qëndruar në një vizitë disaditore në Gjilan. Qëllimi dhe arsyeja kryesore e vizitës së Yarar ishte njoftimi me Dritën dhe sportistët në përgjithësi. Para fillimit të ndeshjes të së dielës me Drenicën, Yarar kishte sjell disa fanella dhe veshmbathje sportive, ndërkohë që premtoi se fryma e bashkëpunimit të tij me klubin gjilanas do të vazhdojë edhe më tej.


“Jam këtu në emër të kryetarit të klubit, Husein Kaptan. Jemi të interesuar që si grup t’i ndihmojmë Kosovës dhe sportit këtu në përgjithësi. Ky është misioni dhe qëllimi ynë. Kam kujtime të mira nga Kosova, sepse kam qëndruar këtu në vitin 2002 dhe më pëlqen shumë ky vend. Kjo vizitë e imja këtu dhe kjo ndihmesë sado e vogël pritet të jetë themel i bashkëpunimit ndërmjet Dritës dhe Sivassporit”, u shpreh Yarar për ‘Sport Plus’. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app