Sigal Prishtina me fytyrë kampioni

Bardhekaltërit e motivuar nga tifozët e pranishëm në palestër e nisën furishëm ndeshjen duke e fituar çerekun e parë me epërsi të lartë prej 16 pikëve, 30-14, pa e aktivizuar fare në fushë basketbollistin më të mirë në Kosovë, Dardan Berishën.
Sidoqoftë, pejanët i ndezën motorët në çerekun e dytë dhe me një lojë të mençur arritën ta shkrijnë disavantazhin vetëm në 10 pikë para pushimit të pjesës së parë, 53-43.
Në çerekun e tretë filluan të dalin në pah problemet e basketbollistëve pejanë në sulm, kryesisht për shkak të lojës së tepruar individuale, e në anën tjetër mbrojtja e dobët i mundësoi prishtinasve që ta ngritin epërsinë e tyre në 16 pikë, para çerekut të katërt.
Në pjesën e fundit, Bardhekaltërit vetëm se ia nënshkruan kapitullimin pejanëve të cilët e kishin humbur koncentrimin e duhur për t’i ndryshuar gjërat. Sigal Prishtina e fitoi ndeshjen me rezultat, 92-73 .
Më i miri te Sigal Prishtina ishte Bojan Trajkovski me 22 pikë e 7 kërcime, ndërsa te Peja u dallua Janou Rubin me 23 pikë.
Prishtina e fiton kështu ndeshjen e parë të finales së play-offit, dhe tani Peja do të jetë nikoqire e ndeshjes së dytë që zhvillohet në palestrën Karagaçi. /Telegrafi/



















































