Feronikeli po vazhdon ta festojë titullin e kampionit të Kosovës, të cilin e fitoi të dielën, për herë të parë në historinë e vet, shkruan sot gazeta Zëri.

Mundi dhe sakrifica që bëri gjatë një edicioni, mbi të gjitha duke luajtur e stërvitur nëpër fusha të huaja në mungesë të fushës së vet, bënë që klubi nga Drenasi t’ia dijë “kimetin” titullit të fituar, më shumë sesa që do t’ia dinte çdo klub tjetër.


Dhe për ta arritur atë, klubi gjelbërebardh shpenzoi goxha shumë para. Arritja deri te titulli “Niklit” i ka kushtuar hiç më pak se 200 mijë euro.

E vërteta është se yjet e futbollit në Evropë brenda javës i fitojnë prej klubeve të tyre më shumë sesa nga 200 mijë euro.

Por, duke e marrë parasysh gjendjen ekonomike në Kosovë, posaçërisht situatën e vështirë në të cilën frymon futbolli kosovar, 200 mijë euro nuk janë pak.

Kjo pasi futbolli kosovar qysh moti është në krizë të madhe financiare, shkaku i së cilës shumë klube janë shuar, madje edhe ish-kampione. Mungesa e donatorëve është shumë e madhe, pasi ata vetëm japin para e nuk fitojnë absolut asgjë, raporton Zëri.

Në këtë situatë që ngjan thuajse veç në Kosovë kanë ndikuar shumë faktorë, posaçërisht mungesa e infrastrukturës ligjore dhe mosnjohja ende e Federatës së Futbollit të Kosovës nga UEFA dhe FIFA.

“Ende nuk e kemi nxjerrë bilancin përfundimtar, sepse kemi për t’i dhënë edhe pagat e majit, ndërsa premitë kemi vendosur t’i japim pas ndeshjes finale të Kupës. Por, mund të njoftoj se dikur rreth 200 mijë euro sillet shuma e parave të shpenzuara deri te titulli”, deklaroi për “Zërin” drejtori sportiv i Feronikelit, Arton Berisha.

“I kemi shpenzuar rreth 200 mijë euro, ndërsa i kemi fituar 10 mijë euro nga të drejtat televizive. Vjet kampioni i pati fituar 30 mijë, kurse sivjet 10 mijë, për shkak atij ndryshimit. Por, kemi mundësi t’i fitojmë edhe 10 mijë euro tjera, nëse e fitojmë ndeshjen finale të Kupës”, shpjegon Berisha.

I pyetur nëse ia vlen të investohen 200 mijë euro për ta fituar titullin prej të cilit fitohen 10 mijë euro, Berisha u shpreh: “Sigurisht që jo, sepse sipas informacioneve që kam, veç UEFA i shpërblen me nga 250 mijë euro kampionët e shteteve anëtare të saj. Pra, kampioni i Shqipërisë i merr 250 mijë euro prej UEFA-s dhe çdo kampion tjetër, e sigurisht se kanë edhe fitime tjera. Kurse, ne nuk jemi në UEFA”, thotë ai.

“Por, tash e tutje konsideroj që ia vlen për të shpenzuar, sepse prej edicionit të ardhshëm kampioni i Kosovës po thuhet që do të dalë në gara evropiane, pastaj sponsorët ofrohen më lehtë. Pra, ndërkombëtarizimi është afër, Ligji për Sponsorë po kryhet dhe besoj se tash e tutje do të jetë më lehtë”, theksoi Berisha.

Mungesa e fushës kampionit i kushtoi 20 mijë euro

Feronikeli u bë kampion i Kosovës jo në Drenasin e tij, por në Prizren, ku i zhvilloi disa ndeshje kampionale kurse të tjerat i pati luajtur në Drenicë. Edhe stërvitjet i ka kryer në Prishtinë, Mitrovicë e fusha tjera të huaja, pasi gjatë gjithë edicionit i mungoi fusha e vet. Kjo ka bërë që triumfin e “Niklit” të gjithë ta shohin jashtëzakonisht të merituar.

“20 mijë euro na kanë kushtuar vetëm udhëtimet, duke stërvitur e luajtur në stadiume të huaja nëpër Kosovë. Pra, sikur ta kishim fushën tonë, 20 mijë euro do t’i kursenim prej atyre rreth 200 mijë eurove sa i kemi shpenzuar gjithsej”, u shpreh drejtori, Arton Berisha.

telegrafi sport app