Por, kanë qenë gazetarët ata që e kanë njoftuar trajnerin e Feronikelit, Gani Sejdiun dhe futbollistët, që ende nuk janë kampion.

Një gjë të tillë e konfirmoi për Gazetën Tribuna, trajneri Sejdiu.


“Ne kemi menduar nëse e fitojmë ndeshjen, do të jemi kampion, pasi vitin e kaluar janë shikuar vetëm dy ndeshjet e pjesës së rregullt të kampionatit. Ne kemi rrezikuar dhe i kemi futur disa lojtarë me karton të verdhë që kanë qenë, duke menduar që kjo është ndeshja e titullit. Por në momentin që ne filluam festën e që disa media na uruan, ishte një gazetar që erdhi dhe më tha që ende nuk jeni shpallë kampion dhe ne u çuditëm. Jemi dëmtuar shpirtërisht, pasi e filluam festën dhe më pas u desh ta ndalim në gjysmë”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, Federata është dashur të jetë më korrekte lidhur me këtë rast dhe Sejdiu mendon se FFK-ja do të duhej të dilte me një njoftim për të gjithë. Ai beson që 99 për qind titulli do të jetë i tyre, por theksoi se nëse do t’i humbin dy ndeshjet e fundit, do të ia urojnë titullin Besës.

Gazeta Tribuna e ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Federatës së futbollit të Kosovës, Fazli Berishën.

Ai është shprehur se gjithçka ka qenë e çartë dhe nuk ka pasur paqartësi.

“Nuk ka asgjë të paqartë. Në fillim të kampionatit të gjitha klubet i kanë marr propozicionet e garave dhe rregulloret tjera. Në fillim të kampionatit të gjithë e kanë ditur që do të shikohen të gjitha duelet direkte, pra edhe të fazës së fundit. Në cdo fillim të kampionatit ka ndryshime të vogla dhe në këtë kampionat ky ka qenë ndryshimi”, ka thënë zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha.

Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe dy xhiro, ku Feronikeli do të luaj kundër rivalit kryesor Besës në Pejë dhe në takimin e fundit, e pret Prishtinën në Prizren. Vetëm një pikë është larg titulli ekipi i Gani Sejdiut. Por, Feronikeli mund të shpallet kampion, edhe nëse i humb të dyja ndeshjet, por humbja në Pejë nuk guxon të jetë më shumë se sa dy gola epërsi.

Rasti i tillë, ku skuadra e ka festuar titullin e kampionit pa u shpallur ende, nuk ka ndodhur asnjëherë në futbollin e Kosovës dhe këtu një faj të madhe e ka Federata, por edhe Feronikeli që nuk i ka shikuar propozicionet e grave, e besa nuk ka kërkuar sqarime shtesë nga FFK-ja./Gazeta Tribuna/

telegrafi sport app