Saranda Bogujevci: Sunny Hill e ka vendosur Prishtinën në hartën e muzikës ndërkombëtare

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vlerësuar ndikimin e Sunny Hill Festival në promovimin e Kosovës, duke theksuar se festivali është shndërruar në një ngjarje që ka sjellë një imazh të ri për vendin në skenën ndërkombëtare.
Përmes një reagimi, Bogujevci ka thënë se në pak vite Sunny Hill është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore, duke e vendosur Prishtinën në hartën e muzikës botërore.
“Ajo që nisi nga dashnia e Dua Lipës për vendin e saj, sot është një skenë ku Kosova shihet dhe përjetohet përmes muzikës, kreativitetit dhe talentit që ka për t’i ofruar botës”, ka shkruar Bogujevci.

Ajo ka theksuar se ndikimi i festivalit nuk kufizohet vetëm në netët e organizimit të tij, por ka ndihmuar në promovimin e kulturës dhe potencialit të Kosovës përtej kufijve.
“Sunny Hill ka ndërtuar një imazh të ri për Kosovën dhe ka treguar se sa shumë mund të arrijmë kur idetë e mira shoqërohen me punë dhe përkushtim”, është shprehur ministrja.
Në fund të reagimit, Bogujevci ka falënderuar Dua Lipën dhe organizatorët e festivalit për kontributin në promovimin e vendit, duke shkruar: “Faleminderit, Dua Lipa. Faleminderit Sunny Hill Festival”. /Telegrafi/


















































