Prishtina, shqiptari që u ngjit në formacionin më të zorshëm shkëmbor “El Capitan”

Në të vërtetë, Prishtina ishte mysafir special i "Marimangave" dhe në fund u emërua edhe anëtar nderi te kjo shoqatë. Prishtina 31-vjeçar, mori me vete një flamur të "Marimangave". Ai këtë flamur nuk e mori për kujtim, por për t'i ndihmuar dhe gjithashtu për të promovuar Bjeshkët e Rugovës nëpër botë.
Prishtina ditë më parë është kthyer në Alamaba të SHBA-së ku jeton dhe vepron. Ai flamurin e marrë nga "Marimangat" e mbante në xhep dhe e tregonte me krenari. Prishtina është i bindur se mund të jetë një "reklamë" e mirë si për "Marimangat" ashtu edhe për bjeshkët e Rugovës.
"Ka potencial të ngjitjes së gurëve në Kosovë dhe mendoj se ky është një sport që sapo i ka bërë hapat e parë. Isha në Rugovë dhe mund të them se është një vend i paeksploruar. Nuk e di pse interesimi i njerëzve nuk është aq i madh, pasi vendi është tepër atraktiv", thotë Prishtina. "Do të kisha dashur që Kosova të jetë e njohur për gjëra të tilla, që janë shumë pozitive. Dhe për këtë arsye kam marrë përsipër promovimin e këtij sporti".
Në të vërtetë, Prishtina vlerësohet njeriu i duhur për promovimin e sportit të ngjitjes së gurëve. Ai është një ngjitës profesionist ose shqiptari i vetëm profesionist i ngjitjes së gurëve. Prishtina është stomatolog me profesion, por thotë se profesion e ka edhe ngjitjen e gurëve. Ai për të dyja profesionet ka kohë të mjaftueshme - i ndanë në mënyrë proporcionale.
"Jam bërë anëtar nderi i 'Marimangave' dhe shpresoj t'u ndihmoj. Kam marrë edhe një flamur me vete për t'iu bërë reklamë dhe njëherësh ta popullarizoj vendin", thotë Prishtina. "Më kanë pritur shumë mirë dhe kishin një vullnet të madh. I kam përgëzuar për atë që e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë".
Synimi i Prishtinës është që të gjejë ndonjë sponsor, i cili do ta sponsorizonte një garë të ngjitjes së gurëve në bjeshkët e Rugovës ku do të vinin disa prej emrave më të njohur të këtij sporti.
Ngjitja në "El Capitan"
Prishtina ka nëntë vjet që ngjitet nëpër shkëmbinj. Ai ka bërë ngjitje në vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe formacionin më të zorshëm shkëmbor "El Capitan" të Kalifornisë. Ai është më i popullarizuari për alpinistët, por edhe më sfiduesi për shkak të shkallës së vogël të pjerrtësisë. Është pothuajse vertikal.
Ai thotë se ata që merren me këtë sport, bëjnë alpinizëm për të shkuar te gurët. Ngjitjen në "El Capitan", Prishtina e ka realizuar në vitin 2014 dhe kjo ngjitje ka zgjatur hiq më pak se pesë ditë.



















































