Pas Sivasporit, është Bursaspor një tjetër klub i madh turk që do të luajë miqësore kundër ‘bardhekaltërve’.

Një delegacion i FC Prishtinës, të prirë nga kryetari i klubit, Remzi Ejupi, nënkryetarët Ahmed Kurtolli e Afrim Muçiqi si dhe drejtori Sokol Krasniqi, sot janë pritur nga zyrtarët më të lartë turk dhe të skuadrës së mirënjohur turke, Bursaspor, kryetari i ish-kampionëve të Turqisë, Rexhep Bulukbasi, sekretari Nihat Sapan, përfaqësuesi i Federatës turke “TFF”, zëvendësambasadori i Punëve të jashtme të Turqisë si dhe shumë përfaqësues eminent nga shteti mik i Turqisë.


Me këtë rast u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit, që nënkupton bashkëpunim në shumë fusha që në përgjithësi do të ndihmojnë futbollin kosovar dhe skuadrën tonë në veçanti.

Më meritori për nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy skuadrave, është kryetari i shoqatës së Shkupit dhe Kosovës, Rexhep Dita, i cili edhe njëherë ishte falënderues ndaj dy skuadrave duke mos harruar asnjëherë rrënjët e thella të shumicës së banorëve të rajonit të Bursës që janë me prejardhje shqiptare.

Kryetari i Bursaspor, Rexhep Bulukbashi ka thënë se ndjehet krenar që mund të ndihmoj dhe gjendet pranë vëllezërve të gjakut të tij duke shpresuar se bashkëpunimi dhe partneriteti ndërmjet dy popujve do të ndihmoj edhe sportin tash e tutje në veçanti.

Ndërkaq, kryetari i FC Prishtina, ka falënderuar përzemërsisht për pritjen e bërë nga homologët e Bursapor, kurse në veçanti iniciatorin e shoqatës së Shkup-Kosovë, zotin Rexhep Dita. Ai ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë që Turqia si shtet dhe Bursasporin si skuadër që kanë ndihmuar në vazhdimësi jo vetëm popullin dhe vendin tonë, por tash e tutje edhe sportin, futbollin e izoluar kosovar, duke treguar cilësitë e mëdha të rinjve tanë që faktikisht akoma nuk i gëzojnë të drejtat e plota të përfaqësimit ndërkombëtar.

Ejupi ka shprehur shpresën se ky bashkëpunim i ngushtë do të ndihmoj futbollin kosovar dhe klubin e Prishtinës të thyej izolimin ndërkombëtar.

“E falënderoj përzemërsisht kryetarin e Bursasporit, i cili ka prejardhje shqiptare, Recep Bolukbasi, i cili na priti shumë ngrohtësisht, duke lidhur me ne marrëveshje bashkëpunimi, me një dëshirë të jashtëzakonshme”, tha Remzi Ejupi.

“Shumë shpejt edhe drejtuesit e Bursasporit do të vijnë në Prishtinë, dhe ne do t’i presim shumë ngrohtësisht, dhe normalisht që do të nënshkruajmë marrëveshje të tjera bashkëpunimi, që janë në interes të dyja klubeve tona”, u shpreh Ejupi. /KP/Telegrafi/ 

telegrafi sport app