Për Rio, Kosova shpreson edhe në sportistët e diasporës

Federatat thonë se ka shumë kosovarë që bëjnë karrierë jashtë vendit e që do të mund t’i sillnin medalje Kosovës, por që është vështirë të binden për të lënë vendet ku jetojnë tash.
Shpresat më të mëdha për të arritur normë olimpike për Lojërat Olimpike “Rio 2016” Kosova i ka te xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distrie Krasniqi.
Por për të shkuar në Brazil me numër sa më të madh të sportistëve me normë olimpike, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) u ka bërë thirrje federatave që të nisin negociatat me sportistët kulmorë me rrënjë kosovare, por që aktualisht përfaqësojnë shtetet e tjera. Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, pranon se është e vështirë të bindet ky grup i sportistëve të përfaqësojnë Kosovën.
Por ka shtuar se është obligim i Kosovës t’u bëjë ftesë. Zyrtarë të federatave njoftojnë se kanë nisur negociatat me disa sportistë të Kosovës që kanë karrierë të ndritshme në shtetet evropiane. “Janë disa sportistë me rezultate të shkëlqyera në disa shtete të Evropës. Por do të jetë çështje e federatave për t’i ofruar, pa ndonjë presion, ata të përcaktohen vetë nëse dëshiron të përfaqësojnë Kosovën. Karta Olimpike e lejon ta përfaqësojnë Kosovën menjëherë, pasi jemi komitet i ri i pranuar nga KON-i.
Ne e kemi derën e hapur për të gjithë sportistët”, ka thënë Hasani të mërkurën për gazetën.



















































