Përzgjedhësi i Polonisë, Mike Taylor, e ka ftuar yllin kosovar në ekipin e tij për pjesëmarrje në “Euro Basket 2015”, i cili do të mbahet në shtator. Kosovës i patën ikur eliminatoret për këtë Evropian, shkaku i izolimit në të cilin ndodhej, kështu që 26-vjeçari nga Peja do ta pranojë ftesën e polakëve, me të cilët pati shkëlqyer në “Euro Basket 2011”.

“Zëri” nuk ka mundur të kontaktojë me Berishën, që gjendet jashtë Kosovës, por drejtori i tij në Sigal Prishtinë, Florian Miftari, paralajmëron pjesëmarrjen e lojtarit më të mirë të Ligës Ballkanike në “Euro Basket 2015”.


“Sigurisht se Dardani do ta pranojë ftesën, pastaj do të luajë për Kosovën. Angazhimi i tij me Poloninë në këtë eveniment nuk e pengon që pastaj t’i kthehet Kosovës”, tha për “Zërin” Miftari.

Pas anëtarësimit të Kosovës në FIBA, Dardan Berisha pati festuar, duke e bërë të ditur vendimin e tij për ta lënë Poloninë për t’i mbrojtur ngjyrat e vendit të tij.

Prishtina në “aksion” nga java e ardhshme

Kampionia e Kosovës dhe Ligës Ballkanike, Sigal Prishtina, prej javës së ardhshme do të fillojë të mendojë për edicionin e ri. “Në javën e ardhshme do ta bëjmë planifikimin buxhetor, e pastaj do të fillojmë punën për konsolidimin e skuadrës”, tha për “Zërin” drejtori Florian Miftari, i cili e përjashtoi mundësinë e angazhimit të dy basketbollistëve të njohur, Ermal Kuqo e Gerti Shima. “Jo, me asnjërin nuk jemi duke u përforcuar. Pa u kryer planifikimi buxhetor nuk mund të flasim për transfere. Deri më tani zyrtare është vetëm largimi i Jordan Hulls. Asgjë tjetër nuk ka”, u shpreh Miftari.

telegrafi sport app