Pejanët e nisën furishëm ndeshjen me një seri prej 7-0, teksa Bardhekaltërit dridheshin nga atmosfera impozante e Shqiponjave. Trajneri i Sigal Prishtinës, Marjan Ilievski, inkuadroi në lojë edhe Dardan Berishën, por nuk arritën ta ndalin ‘Furinë e Verdhë’ të cilët e mbyllën çerekun e parë me epërsi të lartë prej 31-7.

Pas një fillimi katastrofal, Bardhekaltërit në çerekun e dytë shfaqën paraqitje paksa më të mirë me ndihmën e Berishës dhe arritën ta zvogëlojnë disavantazhin në 17 pikë në fund të pjesës së parë, 46-29.


Çereku i tretë filloi me një ritëm të shpejtë nga të dyja palët, teksa të dyja skuadrat luajtën dobët në mbrojtje. Edhe pse Bardhekaltërit arritën ta shkrijnë disavantazhin deri në 13 pikë, (57-44), ishte Alban Veseli që me një trepikësh në sekondën e fundit e mbylli këtë periodë me 16 pikë epërsi në të mirë të pejanëve, 60-46.

Çereku i katërt ishte shumë dramatik dhe i tensionuar. Bardhekaltërit dhanë përshtypje se do të riktheheshin në lojë, mirëpo Nick Ëise dhe Jozo Brkic u siguruan që kjo gjë të mos ndodhte dhe me shënimet e tyre e mbyllën këtë ndeshje me fitore të madhe prej 80-72.

Ndeshja e ardhshme tani do të luhet përsëri në Prishtinë, ndërsa skuadra që i fiton e para tri ndeshje do të shpallet kampione e Kosovës. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app