Peja do ta tentojë sonte misionin e vështirë për ta rikthyer balancën në ndeshjet finale të “Play-Off”-it të Superligës në basketboll. Verdhezinjtë u mposhtën në kryeqytet nga Sigal Prishtina, 73:92, në duelin e parë, ndërsa sonte do të mundohen ta barazojnë serinë finale, duke shpresuar që në fund ta fitojnë titullin e kampionit.

Alban Veseli nuk mundi ta shijonte shumë lojën e parë, pasi ishte ndëshkuar me pesë gabime personale qysh në çerekun e dytë. Mirëpo, basketbollisti i Pejës beson se vendësit mund të fitojnë në “Karagaç”, nëse i përmirësojnë gabimet nga dueli i parë.


“Ajo ishte vetëm loja e parë dhe nuk na ka shkuar asgjë për dorë të dielën. Ne mund t’i përmirësojmë gabimet. Nëse fitojmë në Pejë, gjithçka do të nisë nga fillimi”, thotë Veseli për “Zërin”.

“Fitorja në lojën e parë ndoshta i jep shpresë Prishtinës, por ajo ishte vetëm një natë e keqe e jona. Të enjten do t’ju tregojmë se e kanë gabim nëse mendojnë se mund ta mbyllin serinë e ndeshjeve finale me 3-0”, vazhdoi basketbollisti prishtinas.

Prishtina, në Pejë për fitore

Sigal Prishtina synon ta mbyllë shpejt çështjen e kampionit. Pasi e fituan lojën e parë, kampionët e Ligës Ballkanike do ta kërkojnë fitoren edhe në Rrafshin e Dukagjinit për ta festuar më pas titullin në duelin e tretë.

“Peja ka ekip të mirë dhe do të hyjë në këtë ndeshje për fitore, duke dhënë gjithçka nga vetja për të na mposhtur. Mirëpo, ata psikikisht janë më të ngarkuar, pasi e kanë humbur ndeshjen e parë. Ndërkohë, ne psikikisht jemi më të lehtësuar dhe do të shkojmë në Pejë për ta regjistruar fitoren e dytë, pas lojës së parë brilante që e bëmë të dielën në Prishtinë. Motivi dhe vetëbesimi tek ne është shtuar dukshëm, qëkur e fituam Ligën Ballkanike. Prandaj, besoj se do ta kryejmë finalen me seri 3-0”, thotë për gazetën, kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi. Kjo ndeshje fillon në orën 19:30.

telegrafi sport app