Edhe pse të rinj në moshë, Noise Seed tashmë kanë bërë emër në skenën e muzikës shqiptare. Grupi i formuar në vitin 2009 e i përbërë prej pesë tinejxherësh, Ledri, Valoni, Vegimi, Roberti dhe Graniti, ka marrë pjesë në disa festivale shqiptare, si “Rock për Rock” e “Ngom”, por suksesin më të madh e patën në “Top Fest 8” ku fituam çmimin “Best New Artist”.

Sidoqoftë ëndrra e djelmoshave nuk mbaron me skenën shqiptare, por vazhdon edhe në atë evropiane.


“Në shtator kemi në plan të nxjerrim videoklipin tonë të parë dhe ndoshta dhe albumin, për të cilin ka kohë që po punojmë. Po mendojmë të angazhohemi edhe për MTV Exit, sepse mbetet ëndrra jonë të këndojmë përkrah grupeve më të mëdha të rokut evropian”, thotë njëri prej anëtarëve të grupit, Vegimi.

Synimin e tyre për të shijuar sukses dhe jashtë trojeve shqiptare e tregon edhe fakti se nga dymbëdhjetë këngë sa ata kanë realizuar deri tash, tetë prej tyre janë në gjuhën angleze. /Telegrafi/