Një frymë e re në Prizren

Klubi i basketbollit Kalaja është klubi i cili do të debutojë sivjet në Ligën e Parë të Kosovës. Synimet e këtij klubi janë të qarta, t’i jepet hapësirë lojtarëve të rinj, të cilët hapat e para të basketbollit i kanë marrë po nga shkolla e këtij klubi. Këtë e konfirmon edhe Visar Bunjaku, basketbollist aktiv i Kalajës dhe njëkohësisht trajner i gjeneratave të reja.
“Synimi i klubit është krijimi i lojtarëve të rinj. Me një fjalë të investojmë për të forcuar kualitetet e lojtareve te rinj vendorë, që besojmë se kjo gjë do të ishte mjaft produktiv për basketbollin prizrenas dhe kosovar,” tha Bunjaku ekskluzivisht për Borozani.com.
KB Kalaja si shkollë e basketbollit ekziston qe 9 vite, duke përfshirë lojtarë nga të gjitha gjeneratat e reja si mini basket, pioner, kandet e junor. Kjo ka ndikuar që brenda këtyre viteve të krijohet baza e ekipit me lojtarë të rinj që kanë potencial dhe në këtë mënyrë ka lindur edhe ideja e formimit të ekipit të seniorëve, për të cilën ka nevojë edhe qyteti i Prizrenit pasi që te skuadra e vetme nga ky qytet, Bashkimi, nuk po ka hapësirë të mjaftueshëm për të gjithë lojtarët e rinjë.
Ekipi i parë i Kalajës udhëhiqet nga ish basketbollisti dhe ish trajneri i Bashkimit, Arben Nixha, derisa Visar Bunjaku dhe Vigan Bytyqi e kryejnë punën e trajnerit për grupmoshat më të reja, ndërsa në ekipin e seniorëve përveç Bunjakut si lojtar aktivizohet edhe basketbollisti i njohur, Elvan Iljazi, i cili ka luajtur për skuadra si Sigal Prishtina, Bashkimi e RTV 21.
“Ne kemi shumë lojtarë të rinj me potencial, ndërsa unë dhe Iljazi do të mundohemi t’i ofrojmë këtyre djelmoshave përvojën tonë shumëvjeçare për të ndihmuar në të ardhmen e tyre pasi që mosha e tyre sillet rreth 16 vjet,” tha Bunjaku, i cili më tej foli edhe për fazën përgatitore të ekipit para fillimit të kampionatit.
“Kemi zhvilluar 2 ndeshje miqësore me ekipe të Superligës si Vëllaznimi dhe Ylli, ku nga këto ndeshje kemi mbetur mjaftë të kënaqur me angazhimin e treguar nga lojtarët e rinj, e sidomos me disa lojtarë e mjaftë potencial si Enes Ferati, Gazzali Makasqi, Valon Bunjaku dhe Sharr Hasani. Fazat përgatitore tashmë i kemi përfunduar dhe besojmë që jemi të gatshëm për Ligën e Parë pas këtyre lojërave miqësore.”
Ky klub së shpejti pritet ta përforcojë edhe gjendjen financiare pasi që sipas Bunjakut ata janë në negociata me një kompani të njohur kosovare, me të cilën shpresojnë se do të arrijnë marrëveshje, e që kjo më pas mund t’i rrit edhe më shumë synimet e klubit.






















































