Mushica kërkon trepikëshin kundër Besës

Përballjet në mes këtyre dy ekipeve të madh në vendin tonë, gjithnjë sjellin rivalitet të madh në fushë, e njëjta gjë pritet të jetë edhe në sfidën së shtunës.
Portieri i Prishtinës, Kushtrim Mushica, në prag të duelit me Besën e Pejës, mendon se pejanët tani kanë një ekip tjetër krahasuar me përballjet e fundit, por ai nuk i frikësohet ekipit pejanë.
Mushica thotë se Prishtina është gati për këtë ndeshje. Ai kërkon përkrahje e madh të tifozëve. Mushica beson se bardhekaltrit do të dalin fitues nga kjo ndeshje.
“Realisht Besa ka skuadër tjetër nga përballjet e fundit që kemi pasur, por kjo nuk na brengos, ne thjeshtë e shohim Besën si Besë, skuadër ajo çfarë është e që është për të pasur respekt për ta. Ndërsa, ndeshja si e tillë do të jetë një derbi i vërtet, duke marrë parasysh edhe formën e skuadrës pejane dhe duke iu kthyer të kaluarës që gjithmonë ka pasur përballje interesante ndërmjet dy skuadrave”, ka thënë Mushica për faqen zyrtare të prishtinasve.
“Parashikoj shikueshmëri dhe përkrahje të madhe nga ana e adhuruesve tanë, gjë që për ne do të thotë motiv shtesë dhe shpresojë ta shfrytëzojmë edhe këtë përparësi tonën. Normalisht edhe formën tonë, sepse në tre ndeshjet e fundit, përveç rezultateve jemi edhe duke e ndërtuar lojën mirë e më mirë. Krejt këto të bëjnë të shpresojmë në rezultat pozitiv, që do të thotë tre pikë dhe zhvendosje krejtësisht në kreun e tabelës”, tha ai.
Mushica është i bindur se Prishtina do të marrë pikët e plota nga kjo ndeshje. /Telegrafi/





















































