Morina, pjesë e dy gjeneratave të arta

Për 50-vjeçarin kjo është vetëm një sfidë e radhës e lidhur me futbollin.
Loja mes dy golave ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e jetës së Morinës.
Ka qenë pjesë e rëndësishme e shumë ngjarjeve të mëdha për futbollin kosovar, ndërsa mburret që ishte pjesë e dy gjeneratave të arta të klubit Prishtina - asaj që arriti sukseset më të mëdha në histori të klubit dhe gjeneratës që priu në procesin e pavarësimit të futbollit kosovar.
Morina që në moshën 9-vjeçare iu bashkua klubit të kaltër nga kryeqyteti. Te Prishtina kaloi të gjitha grupmoshat, nga pionierët deri te seniorët, transmeton Koha.net.
"Kam kaluar të gjitha kategoritë si në klub ashtu edhe në përfaqësuese. Prej vitit 1983 kam qenë në ekipin e parë, pra pjesë e gjeneratës së artë. Kam luajtur deri kur është formuar liga e pavarur e Kosovës, në vitin 1991. Në edicionin 1990/1991 ishim pjesë e Ligës së Parë B të Jugosllavisë dhe më pas formuam ligën e pavarur. Ligën e formuam pas konsultimeve me strukturat sportive e politike të kohës", ka kujtuar Arbnor Morina.





















































