Xhoxhaj 21-vjeçar ishte afër të fitonte medaljen e kërkuar. Thotë se e meritoi, por atë ia mohuan gjyqtarët. Xhoxhaj në kategorinë 81 kilogramë, në çerekfinale humbi me rezultatin 2:1 nga boksieri ukrainas, Oleksander Khyzhniak. Në rast të fitores do të shkonte në gjysmëfinale dhe do të kishte të sigurt të paktën medaljen e bronztë.

"Pas shumë medaljesh që kam fituar, kjo në Baku do të ishte më e rëndësishmja e karrierës time. Me ka mbetur marak shumë, por meçin vendimtar e humba padrejtësisht nga gjyqtarët", thotë Xhoxhaj.


Megjithatë, Xhoxhaj nuk ndihet i dëshpëruar, pasi thotë se pa meritë e kishte humbur meçin vendimtar për medalje. Thotë se nga përvoja në Baku, ka mësuar shumë.

"Tani ia di vlerën edhe më shumë pas përvojës që pata në Baku", thotë ai.

Për Xhoxhajn dhe sportistët tjerë, Lojërat Evropiane në Baku ishin të parat pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në atë Ndërkombëtar.

Xhoxhaj është boksieri bindshëm më i mirë në Kosovë në kategorinë 81 kilogramë. Ai karrierën e nisi më 5 gusht të vitit 2009. Ishte dëshirë e tij që të merret me sportin më të suksesshëm në Kosovë para luftës.

"Si fëmijë kam dashur të merrem me sportet luftarake dhe zgjodha boksin", kujton Xhoxhaj. Ishte 15-vjeçar kur nisi të boksonte. Ai tregon se si babai i tij e kishte lënë të mendohej një vit nëse ishte apo jo i gatshëm të niste një karrierë të tillë.

"Ishte dëshirë edhe e familjes e më konkretisht e babait tim që unë të merresha me boks, pasi e shikonte se më pëlqente shumë. Më la kohë që të mendohem një vit dhe pas një viti ai më pyeti nëse unë isha i gatshëm të ngjitesha në ring", tregon Xhoxhaj.

E përgjigjja e prizrenasit ishte e shpejtë.

"Po, dua të merrem me boks dhe vetëm me boks", thotë ai. "Dhe, kështu kam vazhduar"

telegrafi sport app