Më shumë zyrtarë e mysafirë se sa garues (VIDEO)

Kosova për herë të parë do të përfaqësohet në një garë të tillë, pas pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në atë ndërkombëtar vitin e kaluar.
Listës prej 19 garuesve i prinë kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, e cila do të jetë bartëse e flamurit të Kosovës. Ajo nuk do të garojë, shkaku i lëndimit të pësuar muaj më parë.
Krahas Majlinda Kelmendit, nga sporti i xhudos janë edhe Distria Krasniqi, Nora e Akil Gjakova.
Notin e përfaqësojnë Flaka Pruthi, Melisa Zhdrella, dhe Laurit Muja.
Mundja shpreson në medalje tek Kastriot Sedolli, Arlind Curri e Edon Shala. Karatenë e prezanton Alvin Karaqi, kurse nga Federata e Shigjetarisë janë Lirie Sahiti e Hazir Asllani.
Qëndrim Guri do të garojë me biçikletë, derisa shpresat për medalje tek boksi varen nga Armend Xhoxhaj e Naser Shala.
Arbes Tahiri është nga Taekëondo, kurse në shenjë nga federata e këtij sporti do të gjuajnë Lumturije dhe Urata Rama.
Bashkë me garuesit do të jenë edhe nga një trajner dhe kryetari i federatës përkatëse.
Ajo që brengos më shumë është se pjesë e delegacionit janë shumë mysafirë dhe zyrtarë të Komitetit Olimpik të Sportit, të cilët kalojnë numrin e garuesve, kurse kryetari Besim Hasani do të ketë një person të veçantë me veti.
Ndër mysafirët nuk do të mungojë as kryeministri i vendit, Isa Mustafa.
Sidoqoftë, shpresa për medaljen e parë olimpike për vendin tonë nuk zbehet, pavarësisht se Majlinda Kelmendi do të jetë vetëm tifoze.
Nga të gjitha federatat pjesëmarrja i është mohuar vetëm Federatës së Atletikës së Kosovës.
Lojërat Olimpike verore do të mbahen nga 12 deri më 28 qershor në Baku të Azerbajxhanit. (Gazeta Tribuna)



















































