Zyrtare: Jarovic largohet nga Gjilani, vazhdon karrierën në Marok


Sulmuesi i njohur në futbollin kosovar, Senad Jarovic, ka zgjedhur një aventurë të re në karrierën e tij.
Futbollisti me origjinë nga Gjermania ka arritur marrëveshje për të vazhduar karrierën te skuadra marokene IR Tanger, duke u larguar kështu nga futbolli kosovar pas një periudhe të suksesshme me fanellën e Gjilanit.
Jarovic ishte një prej sulmuesve më të spikatur në Superligën e Kosovës, ku la gjurmë me golat dhe paraqitjet e tij.
Ai iu bashkua Gjilanit në vitin 2024 dhe gjatë qëndrimit te “Skifterat” u shndërrua në një nga figurat kryesore të skuadrës.
Sulmuesi 28-vjeçar, i cili luan në pozitën e qendërsulmuesit dhe njihet për fizikun e tij të fuqishëm, ka pasur më herët eksperienca edhe në kampionate të ndryshme evropiane, përfshirë Slloveninë, Danimarkën dhe Rumaninë.
Kalimi te IR Tanger përfaqëson një sfidë të re për Jarovicin, i cili tani do të provojë veten në elitën e futbollit maroken.
Klubi nga Tangeri është një prej skuadrave të njohura në Marok dhe garon në kampionatin elitar të vendit, duke synuar të ndërtojë një ekip konkurrues./Telegrafi/








































