Kosova po lufton për futje në “Top10” të Divizionit B

Kosova të mërkurën në kuadër të Grupit G ku janë pjesëmarrës përfaqësueset të cilat luftojnë për plasman, mposhti Rumaninë me rezultatin 81:69. Kosova gjatë fazës së Grupit B pati një fitore dhe tri humbje. Me pesë pikë përfundoi si e katërta e Grupit, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Patëm një paraqitje të shkëlqyer ku secili dha maksimumin e vet për të kryer detyrat që ua kishim dhënë ne si shtab teknik. U shpërblye me fitore mundi i tyre”, ka thënë të mërkurën për gazetën përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës U-20, Ilir Selmani.
Kosova në dy ditët e ardhshme do të ketë pushim, kurse të shtunën do të përballet me Austrinë. Nga takimi me Austrinë dhe takimi i Austrisë ndaj Portugalisë që zhvillohet të enjten (sot), do të varet nëse Kosova do të luajë për vend të nëntë, të njëmbëdhjetë apo trembëdhjetë.
“Kemi kohë dy ditë në dispozicion për t'u riaftësuar fizikisht dhe na pret ndeshja me Austrinë, e cila është një përfaqësuese serioze. Do ta japim maksimumin në këtë lojë”, ka theksuar Selmani, shkruan sot më gjerësisht Koha Ditore.



















































