Kastriotit nuk ia merr mendja të luajë me serbët

Deri më tash, përballjet mes skuadrave kosovare dhe serbe janë luajtur në terren neutral dhe gjithnjë kanë fituar skuadrat fqinje.
Kështu pritet të ndodhë edhe kësaj here nëse luhen të tilla ndeshje. Nëse jo, atëherë Kastrioti rrezikon suspendimin nga Evropa për dy vjet dhe gjobën prej 15 mijë eurove.
Klubi i hendbollit Kastrioti nga Ferizaj, (meshkujt) ka vënë në dyshim pjesëmarrjen në "Challenge Cup". Kastrioti më herët ka paraqitur kërkesë për të marrë pjesë në garat evropiane, por pas hedhjes së shortit të martën, kanë lënë hapësirë që të tërhiqet. Në shortin e hedhur në Vjenë, Kastriotit për kundërshtar në rrethin e dytë të garës "Challenge Cup" i ka rënë klubi serb, Radniçki i Kragujevcit. Të martën është hedhur shorti edhe për skuadrat tjera pjesëmarrëse në garat evropiane.
"Ne, klubi Kastrioti kemi bërë kërkesë që të luajmë në gara ndërkombëtare. Por, tash pasi na ra të takohemi me një klub nga Serbia, ne, anëtarët e kryesisë, do të ulemi dhe do të vendosim se çka do të bëjmë", ka thënë kryetari i klubit Kastrioti, Izet Rushiti, të martën, për gazetën.
Rushiti nuk ka dashur të tregojë arsyet e mundësisë për t'u tërhequr.
"Kjo është për këtë moment deklarata ime", ka theksuar Rushiti.
Sipas shortit të hedhur, Kastrioti do të jetë vendas në ndeshjen e parë më 11 tetor, kurse ajo e kthimit do të duhej të luhej pas një jave në Kragujevc.



















































