eksperti-banner

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka ngritur disa shqetësime te tifozët pas fitores 4-2 ndaj Kroacisë në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026.

Sulmuesi anglez ishte një nga protagonistët e takimit, duke shënuar një gol nga pika e bardhë.


Kane realizoi në tentativën e dytë, pasi gjyqtari Clement Turpin urdhëroi përsëritjen e penalltisë për shkak të një shkeljeje nga portieri kroat Dominik Livakovic.

Pas përfundimit të ndeshjes, 32-vjeçari u pa duke iu afruar familjarëve të tij në tribunat e stadiumit AT&T në Dallas, ndërsa këmba e majtë e tij ishte e fashuar. Pamjet u bënë menjëherë virale dhe ngjallën dyshime për gjendjen fizike të sulmuesit të Anglisë.

Kane luajti të gjitha 90 minutat pa u zëvendësuar, gjë që habiti një pjesë të tifozëve duke pasur parasysh intensitetin e ndeshjes.

Megjithatë, indikacionet e para sugjerojnë se fashimi i këmbës lidhet më shumë me lodhjen dhe goditjet e marra gjatë takimit sesa me një dëmtim serioz.

Edhe trajneri Thomas Tuchel nuk dha një përgjigje të qartë për gjendjen e lojtarit.

“Do të shohim. Shpresoj që të jetë mirë. Jemi të gjithë të lodhur, por më pëlqeu të shihja lojtarë të rraskapitur në zhveshtore”, deklaroi trajneri gjerman pas ndeshjes.

Anglia do të përballet me Ganën në ndeshjen e dytë të grupit të martën, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Kane do të jetë plotësisht i gatshëm për sfidën e radhës.

Për momentin, nuk ka raportime për një dëmtim serioz, por stafi mjekësor i “Tre Luanëve” pritet të monitorojë nga afër gjendjen e kapitenit. /Telegrafi/

telegrafi sport app