Kampioni mposht debutuesin

Vushtrriasit triumfuan falë dy golave të Osmanit, i cili në këtë mënyrë thelloi akoma më shumë krizën e troftave, që nuk dijnë për fitore tash e pesë ndeshje. Përpos mbi 1500 shikuesve, tejmase i dëshpëruar mbeti edhe trajneri vendës, Nazmi Rama, i cili e kritikoi pafundësisht mbrojtjen e skuadrës së tij, shkruan gazeta Arena.
Ende pa u ulur mirë tifozët vendës në tribuna, Labinot Osmani u përkujdes për dëshpërimin e parë të tyre. Ai e shfrytëzoi gabimin e mbrojtësit Ardian Dervishaj duke e mposhtur Sanell Bandiqin për 1:0.
Në minutën e 16-të, Osmani përsëri e fitoi duelin me Dervishajn duke shënuar për 2:0. Goli i dytë i vushtrriasve sikur iu dha forcë istogasve, që e ngushtuan epërsinë e mysafirëve vetëm një minutë më vonë. Suad Saliagiq ‘fluturoi’ më së larti në zonë, për ta çuar topin në rrjetë me kokë për 2:1.
Deri në fund të pjesës së parë, përpos tentimeve të të përhershmit Mark Milicaj, Llamkosi goditi dy herë shtyllën. Skuadrat shkuan në pushim pranë rezultatit 2:1 për Llamkosin.
Duke e parë epërsinë e futbollistëve të tij, Bekim Shotani bëri tërheqje taktike në pjesën e dytë, duke tentuar për golin e fitores me anë të kundërsulmeve. Istogu mori kontrollin e lojës që nga minuta e parë e pjesës së dytë, por ‘troftat’ e kishin shumë vështirë që të vijnë në raste të mira shënimi.
Milicaj rrezikoi seriozisht në minutën e 73-të por mysafirët e larguan topin në momentet vendimtare. Një minutë më vonë, vendësit kërkuan penallti nën dyshimin se zëvendësuesi Halimi luajti me dorë pas krosimit të Diar Miftarajt, por gjyqtari heshti.
Rastin e fundit për Istogut e krijoi përsëri Mark Milicaj, i cili në minutën e 88-të rrezikoi nga goditja e dënimit por Tahiri intervenoi me sukses. Istogu s’bëri gjë as pas tre minutave shtesë, ndaj Llamkos Kosova mori tri pikë, me të cilat ngritet në pozitën e katërt. /Telegrafi/






















































