Jemi të botës

Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) është pranuar përkohësisht në Federatën Ndërkombëtare të Volejbollit (FIVB) dhe në atë Evropiane të Volejbollit (CEV). Ky sport po kalonte momente të vështira viteve të fundit, por së fundmi ka nisur të lëvizë, në pritje të këtij vendimi. FVK-ja e ka marrë një letër konfirmimi nga dy federatat përkatëse, të cilat ia kanë kumtuar këtë lajm historik volejbollit kosovar.
Kryetari i FVK-së, Abedin Ibrahimi, e konsideron këtë si një lajm shumë të mirë për Volejbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi, duke shtuar se tash e tutje, volejbolli i këtushëm duhet të lëvizë për të qenë i barabartë për nga cilësia me vendet tjera të botës.
“Pas shumë vitesh jemi zgjuar me një brengë të hequr. Jemi të kënaqur për këtë vendim dhe i përgëzoj dhe i falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur në rrugëtimin tonë, i cili ishte mjaft i vështirë. Unë sot e hap një kapitull të ri. Ju kemi ftuar t’ua kumtoj lajmin se me këtë rast u janë hapur dyert të rinjve dhe të rejave”, theksoi kryetari i FVK-së në konferencë për shtyp.
“Duhet ta nisim një rrugë të re sa më shpejt dhe të mundohemi të jemi në nivelin e Evropës dhe botës. E kemi mundësi t’i plasojmë ato që i kemi bërë deri tash. Shpresoj që kjo të jetë një dëshmi se e kemi pasur vendin më herët në arenën ndërkombëtare”, vazhdoi ai.
Hasani: Lajm i gëzueshëm për sportin kosovar
Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), e konsideron këtë lajm si mjaft të gëzueshëm. Ai kërkon nga drejtuesit e FVK-së të nisin të punojnë edhe më seriozisht, pasi tash i presin sfida të reja dhe aspak të lehta. “Është një kënaqësi, pasi të gjithë sportistët janë të gëzuar. Është rezultat i një punë sistematike, në vazhdën e sukseseve të sporteve tjera. Në të ardhmen duhet t’i përvileni punës, në mënyrë që ky sport të masivizohet dhe të ngritet cilësia. Do të keni mbështetje nga ne”, premtoi Hasani.
Pranohemi plotësisht vitin tjetër
Ndërkohë, Ibrahimi ka treguar se FVK-ja do të pranohet plotësisht në Kongresin e Federatës Ndërkombëtare, që do të mbahet në janar të vitit 2016, pasi momentalisht është pranuar vetëm përkohësisht në këto dy institucione, edhe pse i ka të gjitha të drejtat.
Për fillim, me dy klube në Evropë
Në letrën që e ka dërguar Federata Evropiane e Volejbollit ia kumton lajmin Federatës së Volejbollit të Kosovës se ka të drejtë të aplikojë me pjesëmarrjen e dy klubeve në garat evropiane, që nga sezoni i ardhshëm. Me këtë rast, FVK-ja duhet të aplikojë maksimumi deri më 20 maj, me një ekip të meshkujve dhe një të femrave. Edhe Përfaqësuesja e Kosovës mund të zhvillojë ndeshje zyrtare ndërkombëtare.
Volejbolli është njëri ndër sportet e fundit që pranohet ndërkombëtarisht. Ky pranim vjen si rezultat i pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, që ndodhi në fund të vitit 2014. Momentalisht, vetëm shenjëtaria dhe futbolli mbeten ende të papranuara.



















































