Jay-Z i bën ‘diss’ Kanye West, Drake dhe Nicki Minaj gjatë performancës së tij në Filadelfia

Jay-Z ka tërhequr vëmendjen me një performancë surprizë në festivalin vjetor Roots Picnic në Filadelfia, ku gjatë një freestyle-i katërminutësh nuk kurseu kritikat ndaj disa prej emrave më të njohur të industrisë së muzikës, përfshirë Kanye West, Drake dhe Nicki Minaj.
Reperi 56-vjeçar duket se iu rikthye përplasjes me Kanye West, pas deklaratave të këtij të fundit në vitin 2025 lidhur me fëmijët e Jay-Z dhe Beyonce.
Në vargjet e tij, artisti mbrojti familjen dhe la të kuptohej se ende nuk e ka harruar episodin që shkaktoi tension mes tyre.

Gjatë performancës, Jay-Z hodhi gjithashtu akuza ndaj Nicki Minaj, duke përmendur jetën e saj personale dhe bashkëshortin Kenneth Petty.
Ai nuk kurseu as Drake, me të cilin shkëmbeu mesazhe të ashpra përmes vargjeve, duke iu përgjigjur deklaratave të fundit të reperit kanadez dhe duke komentuar edhe çështjet e tij ligjore me industrinë muzikore.

Pavarësisht kritikave ndaj Kanye West, Jay-Z performoi edhe disa nga hitet e albumit të tyre të përbashkët Watch The Throne, duke treguar se muzika mbetet e ndarë nga konfliktet personale.
Performanca e tij u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, ndërsa fansat dhe mediat po komentojnë vargjet e forta që rikthyen në qendër të vëmendjes disa nga rivalitetet më të përfolura të hip-hopit. /Telegrafi/


















































