Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim ish-zëvendëssekretarin e përgjithshëm të FIFA-s dhe ish-drejtorin për marrëdhënie ndërkombëtare të FIFA-s, diplomatin francez, Jerome Champagne, të cilit i ndau “Medaljen Presidenciale të Meritave”, për kontributin e dhënë në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës.

Champagne në takim me Presidenten ishte i shoqëruar nga zëvendësambasadorja e Republikës së Francës në Kosovë, Lise Motomalaya, ministri Memli Krasniqi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe përfaqësues të tjerë të sportit të Kosovës.
Presidentja Jahjaga tha se “Kosova sot është bashkë me Francën në dhembjen e saj për viktimat e pafajshme të një akti të tmerrshëm terrorist, të drejtuar kundër vlerave të përbashkëta dhe lirisë së shoqërive tona”.


Presidentja Jahjaga, duke i shprehur mirënjohje Champagne për ndihmën e madhe që i ka dhënë sportit të Kosovës dhe në veçanti futbollit, tha se “të rinjve dhe të rejave të Kosovës u është mundësuar që ta përfaqësojnë shtetin e tyre duke treguar gjithë talentin”.

Diplomati francez, Jerome Champagne tha se “është thellësisht i prekur nga mikpritja në Kosovë, nga mbështetja që populli francez ka marrë në këtë kohë të vështirë kur ka përjetuar sulmet terroriste dhe gjithashtu është i nderuar për mirënjohjen që ka marrë”.

Ai gjithashtu tha “se Kosova do të vazhdojë të ketë miqtë e saj në botë që do ta ndihmojnë atë në konsolidimin e sportit të saj dhe në veçanti të futbollit në skenën ndërkombëtare”. /Telegrafi/
 

telegrafi sport app