Maqedonasi, me medaljen e kampionit në qafë, nuk hezitonte t'u përgjigjej të gjitha ftesave për "selfie", mundohej t'u fliste të gjithë tifozëve që kishin dalë në palestër për ta festuar titullin e kampionit të Sigal Prishtinës për edicionin 2014/15 në ETC Superligën e Kosovës, javën që shkoi. Për Sigal Prishtinën ky ishte titulli i dhjetë i kampionit pas luftës, ka edhe dhjetë kupa e tri superkupa, por ky vlerësohet se ishte stinori më i mirë.

Në ditën kur u festua titulli me tifozët në palestër, para 10 ditësh, për Ilievskin ishte dita e fundit si trajner i Sigal Prishtinës pas një aventure të suksesshme prej katër muajve e gjysmë. Krahas titullit të kampionit të Kosovës, me Sigal Prishtinën shkroi edhe histori, pasi fitoi Ligën Ballkanike. Është ky suksesi më i madh jo vetëm në basketbollin kosovar, por në të gjitha sportet kolektive që e ka regjistruar ndonjë skuadër, raporton 'koha.net'.


Ky nuk është suksesi më i madh vetëm për Sigal Prishtinën. I tillë është edhe për Ilievskin si trajner. Ai para se të merrte drejtimin e klubit bardhekaltër ka punuar në Maqedoni si trajner i Vardarit dhe Lirisë së Shkupit, duke arritur në finale të plejofit dhe Kupës.

"Liga Ballkanike është suksesi më i madh në karrierën time si trajner. Ky sukses po ashtu nuk është vetëm arritje e Sigal Prishtinës, por i gjithë basketbollit të Kosovës", tha Ilievski. "Pa dyshim se me Sigal Prishtinën kemi shkruar historinë dhe të gjithë për këtë duhet të jemi krenarë".

Ilievski drejtimin e Sigal Prishtinës e mori në fillim të këtij viti, duke zëvendësuar në postin e trajnerit boshnjakun Sabit Haxhiq të larguar. Nën drejtimin e Ilievskit, Sigal Prishtina në BIBL zhvilloi 12 ndeshje, duke regjistruar nëntë fitore e tri humbje që i mjaftuan klubit bardhekaltër të shpallet kampion në edicionin e dytë si pjesëmarrës i kësaj lige. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app