Hendboll: Kampioni më i fortë se Përfaqësuesja

Në përballjen e zhvilluar në Palestrën ‘Karagaçi’ në Pejë, skuadra kampione e Kosovës, Besa Famiglia, në të gjitha elementet e lojës ka qenë me e mirë se skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi, Alfred Llazari.
Ndihmëstrajneri i Besa Famiglias, Arben Muqolli tha pas ndeshjes se ndeshja ishte e pabarabartë. Muqolli shtoi më pas se skuadra e Besa Famiglias është e përgatitur për dy sfidat me estonezët, ndonëse i kanë në dispozicion edhe disa ditë deri te zhvillimi i këtyre ndeshjeve.
“Momentalisht lojtarët tanë janë të përgatitur mirë, por ne i kemi në dispozicion edhe disa dite për të përmirësuar disa gjëra të vogla”, tha Muqolli, duke shtuar se krahasuar me vitin e kaluar, ata sivjet janë shumë më të përgatitur dhe të komponuar.
“Meqenëse ky është viti i dytë që luajmë bashkë, kemi bërë një ekip shumë të mirë, ndërsa jemi shumë më të përgatitur se vitin e kaluar”, shtoi në fund ndihmëstrajneri Arben Muqolli. Nga ana e tij, përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Alfred Llazari tha se me këtë ndeshej ne i kemi shërbyer Besa Famiglias.
“Me këtë ndeshje ne i kemi shërbyer Besa Famiglias e cila pas disa ditsh do t’i zhvillojë dy ndeshje ndërkombëtare, ndërsa djelmoshat e mi janë të rinj dhe se ata tash janë në fazën përgatitore, ndërsa ditëve të fundit ata nuk kanë punuar fare me top”, tha përzgjedhësi Llazari, i cili në fund tha se ndeshjen e kanë luajtur me profesionalizëm, përderisa te Besa Famiglia u vërejt dëshira e madhe për fitore, ndërsa ata në disa momente kanë luajtur lojë paska të ashpër.
“Unë shpresoj që hendbollistët e Besa Famgilias të luajnë kështu ashpër ndaj estonezëve, siç luajtën edhe kundër nesh”, përfundoi përzgjedhësi Alfred Llazari. Te Besa Familgia më i disponuar për lojë ishte Drilon Tahirukaj (shënoi 7 gola), ndërsa te Përfaqësuesja e Kosovës më së shumti gola (nga 5) shënuan Hamdi Salihui e Florim Hoxha. /SportPlus/Telegrafi/



















































