Donatori kryesor i klubit, Ragip Murati, ka paralajmëruar se skuadra mund të mos i nis fare garat në pranverë. “Fitoi vendi i korrupsionit e i familjarizimit. Nuk fitoi sporti, nuk fitoi drejtësia. Marre për FFK-në, nuk ia vlen kurrsesi të investosh. Do të mendojmë mirë a do të vazhdojmë në pranverë me Hajvalinë apo do të tërhiqemi nga garat”, ka thënë Murati për SportPlus.

‘Do t’i dorëzojmë librezat’


Për situatën alarmante ka folur edhe drejtori i Hajvalisë, Xhavit Pacolli. Ai thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me pronarin, Mehedin Përgjegjaj (Meda) dhe donatorin, Murati. “Unë jam në kontakt me ta. Gjatë javës do të vendosim përfundimisht për t’u tërhequr nga garat dhe librezat do t’ua dërgojmë të hënën atyre që po rrinë në karrige dhe po bëjnë direktiva prej zyrave. Jemi lodhur me këto referime. Gjyqtarët vijnë me qëllime të caktuara. Mirëpo, jo gjithherë faji është i tyre, pasi ata i delegon ndokush”, deklaroi Pacolli të premten për ‘Sport Plus’.

“Ne bëjmë shpenzime deri 200 mijë euro në vit dhe të gjitha shkojnë për klub. Mirëpo, asnjëherë nuk do të arrijnë që gjyqtarët të marrin para shtesë nga ne, pos atyre që u takojnë. Këta janë mësuar të korruptohen, mbase edhe janë të obliguar, por ne kurrë nuk do t’iu bëjmë favore, prandaj edhe na dëmtojnë”, shtoi Pacolli. Ai insiston se me nivelin e këtyre gjyqtarëve, por edhe me të atyre që i udhëheqin ‘këmishëzinjtë’, nuk mund të shkohet përpara.

“Ne jemi munduar të jemi klub korrekt, duke i kryer të gjitha obligimet si ndaj lojtarëve, po ashtu edhe ndaj institucioneve. Mirëpo, jemi lodhur”. Krejtësisht në fund, për rënien e Hajvalisë në ndeshjet e fundit, Pacolli nuk e fajëson askënd në klub, por gjyqtarët. Hajvalia – Ferizaj e drejtua Mentor Baliu, i cili mori notën 2, Jakup Musolli (2.5) dhe Fatmir Abrashi (1).

Keçi: Tumori i futbollit, gjyqtarët

I ashpër me deklaratat e tij ka qenë edhe trajneri i Hajvalisë, Synaj Keçi. “Kanceri apo tumori i futbollit kosovar janë gjyqtarët. Dëmtohemi njëherë, dëmtohemi dy herë, por të dëmtohemi vazhdimisht, është e patolerueshme”, tha Keçi. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app