Guardiola reagon pasi Arsenali fitoi Ligën Premier – ka një mesazh për Artetën

Pep Guardiola e ka uruar Arsenalin dhe Mikel Artetën për fitimin e titullit të Ligës Premier.
Manchester City nuk arriti ta çojë garën për titull deri në xhiron e fundit të sezonit, pasi barazoi 1-1 në transfertë ndaj Bournemouthit të martën në mbrëmje, pavarësisht se Erling Haaland e ndezi shpresën me një gol barazimi në minutat shtesë.
Si pasojë, “Topçinjtë” u kurorëzuan kampionë të Ligës Premier për herë të parë pas 22 vitesh dhe me një ndeshje të mbetur për t’u luajtur.
Megjithatë, Guardiola u tregua i shpejtë për të dëshmuar klas, duke i dërguar një mesazh urimi Artetës pas barazimit me Bournemouthin.

“Në emër të Manchester Cityt dhe ekipit tim, urime Arsenalit, Mikelit, gjithë stafit, gjithë lojtarëve dhe tifozëve për këtë Ligë Premier. E meritojnë”.
“Jam mjaft i sigurt se do të jetë diçka e veçantë për të, sepse ka bërë shumë përpjekje dhe punë. Urime atij”, u shpreh Guardiola.
Mbetet të shihet nëse Guardiola do të jetë në krye të Manchester Cityt edhe sezonin e ardhshëm, teksa klubi synon ta rikthejë titullin, ndërsa spekulimet për të ardhmen e tij kanë dominuar mediat që nga e hëna në mbrëmje.
Raportimet pretendojnë se spanjolli ka vendosur të largohet nga posti i trajnerit në fund të sezonit.
Mediat ndërkombëtare kanë bërë të ditur se ish-trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, është në bisedime të avancuara me Cityn për ta zëvendësuar Guardiolën, me një marrëveshje fillestare trevjeçare që thuhet se është arritur “në parim”./Telegrafi/



















































