Gati për aplikim në FIFA dhe UEFA

Një gjë të tillë e ka thënë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, në një konferencë për media të mbajtur të enjten në Prishtinë.
“Ju njoftoj se FFK-ja është duke ‘luftuar me mish e me shpirt’ dhe me miqtë e vet, me këshilltarët, është duke studiuar statutin që ka pësuar ndryshime, në lidhje me aplikimin për anëtarësim në FIFA dhe UEFA dhe është duke i shikuar të gjitha rrugët ligjore. Unë personalisht jam duke punuar një dokument me 200-300 faqe për ta dërguar edhe në FIFA edhe në UEFA dhe presim që kryetari Fadil Vokrri të kthehet (nga Zvicra) dhe të njoftohemi më shumë në këtë drejtim”, theksoi Salihu.
“Sigurisht se ajo që është shumë e kuptimtë është që Kosovës t’i hiqen të gjitha pengesat që po i ka për zhvillimin e ndeshjeve miqësore, pasi është absurde të vazhdohet kështu”, ka deklaruar Salihu, i cili ka theksuar se do të kërkojnë drejtësi edhe në gjykatat e ndryshme nëse i mohet e drejta Kosovës.
“Unë veç kam shkruar letra edhe në UEFA edhe në FIFA dhe jemi duke u përgatitur me komision dhe sigurisht që është koha t’i marrim masat ligjore, pra të gjitha masat e mundshme ligjore, duke i dërguar paditë edhe në gjykatat e ndryshme gjyqësore sportive”, përfundoi Salihu. /SportPlus/Telegrafi/



















































