Gashi: Superliga është hajgare

Peja nuk do të ketë aspak nostalgji për Superligë. Për këtë siguron Art Gashi. Kryetari i klubit verdhezi, ligën superiore të basketbollit kosovar e konsideron si “ligë hajgare”. Sipas tij, në Superligë klubet nuk kanë kurrfarë kushtesh dhe garat zhvillohen vetëm sa për sy e faqe, vetëm sa për të mos thënë.
Kreu i klubit pejan i dha këto deklarata pasi skuadra pejane u përjashtua të enjten nga Superliga, pasi u tërhoq në ndeshjen e tretë finale të “Play-Offit” ndaj Sigal Prishtinës, prandaj sezonin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë.
“Veç emri i ka mbetur Superligë, se lidhje me Superligë nuk ka. Është krejt hajgarellëk. Klubet s’kanë fanella të mjaftueshme, s’kanë autobus, shkojnë në lojë me vonesë dhe me 4-5 lojtarë, me ekip të pakompletuar. Superliga me të vërtetë s’ka më vlera”, thotë për “Zërin” Gashi, i mllefosur.



















































