Gashi: Ajo që ka ndodhur në Prishtinë, më e rëndë se kurdoherë (Video)

Ai ka thënë se skuadra e tij ka kërkuar kushte të përshtatshme për lojë që ta vazhdoj ndeshjen, por ato nuk janë ofruar nga kryesia e Prishtinës dhe Policia e Kosovës.
“Dëshiroj të theksoj edhe një herë që KB Peja nuk është tërhequr nga loja, por kemi dalë nga parketi për shkak të rrethanave që kanë qenë në palestër. Gjatë gjithë kohës ua kemi bërë me dije gjyqtarëve, policisë dhe FBK-së që do të kthehemi në fushë kur të sigurohen kushtet normale, në momentin që jemi kthyer, kemi parë që koha e pritjes ka kaluar dhe gjyqtari i kishte dhënë fund ndeshjes”.
“Prej momentit të futjes së ekipit në palestër, kemi pasur fyerje, shantazhe, provokime. Ajo që ka ndodhur mbrëmë ka qenë më e rëndë se kurdoherë, unë personalisht prej se kam hyrë në sallë deri sa kam hyrë te vendi im, fyerjet nuk janë ndalur në asnjë formë, duke përfshirë edhe nga ulëset VIP të Prishtinës”.
“Ne jemi ulur nën kosh dhe presioni ka qenë i paparë aty”.
“Çka është më e keqja, një koincidencë që po përsëritet vazhdimisht, është se personat që po fyejnë janë gjithmonë të njëjtit. Para përfundimit të çerekut të dytë, 20 sekonda pa përfunduar ndeshja, jam ngritur që të dal nga korridori më i afërt, dhe e kam parë që është e mbyllur dera. Në ato momente më është afruar një polic për të më përcjellë jashtë, dhe unë nuk e kuptoj pse duhet një polic të më përcjellë për të dalë nga palestra”.
“Kur jam kthyer e kam parë se personat që janë pjesë e klubit të Pejës kanë qenë vazhdimisht të ofenduar, deri në momentin kur një tifoz ka hyrë në parket dhe e ka fyer një ndër themeluesit e klubit në mënyrën më të keqe”.
“Në atë moment e kemi kuptuar që asnjë prej zyrtarëve nuk është në rregull dhe kemi vendosur të dalim jashtë. Çka është më e keqja, ka qenë injorimi që na është bërë nga kryesia e klubit të Prishtinës, të cilët në asnjë moment nuk janë ngritur në këmbë për t’u interesuar se çfarë po ndodh”.
“Për 15 vite në Pejë, nuk mbaj mend që është nxjerrë jashtë nën shoqërimin e Policisë dikush prej zyrtarëve të Prishtinës nga palestra”, ka deklaruar Gashi. /Telegrafi/



















































