Pasi që klubi prishtinas ia ka shitur Radio Televizionit të Kosovës të drejtat televizive edhe për ndeshjet e ‘DigitAlb Kupës’, FFK-ja është ajo që ka reaguar përmes një komunikate zyrtare, duke e kërcënuar Prishtinën me përjashtim nga garat, raporton Tribuna.

Në një letër nga sekretari Eroll Salihu, FFK-ja ka konfirmuar që të drejtat televizive për këto dy edicione i takojnë ekskluzivisht kompanisë ‘DigitAlb’.


“Në lidhje me deklaratat për media të disa zyrtarëve të Prishtinës dhe RTK-së, ju njoftojmë që Kupa e Kosovës iu është dhënë tash e dy vite kompanisë ‘DigitAlb’. Ajo dhe FFK kanë marrëveshje edhe për dy edicione futbollistike: 2014/2015 dhe 2015/2016. Kupa e FFK-së në futboll është e drejtë ekskluzive e FFK-së dhe si e tillë nuk guxon të ketë asnjë transmetues tjetër televiziv pos ‘DigitAlb’.”

“Kontrata juaj me RTK-në është valide vetëm për kampionatin e Raiffeisen Superligës së Kosovës dhe jo për ‘DigitAlb Kupën’. Ju tërheqim vërejtjen që t’i përmbaheni Rregulloreve në fuqi dhe t’i respektoni dispozitat e Propozicioneve të Garave, neni 62. Çdo shkelje e kësaj dispozite do të pasojë me largim nga garat e kupës”, ka shkruar Salihu. /Telegrafi/
 

telegrafi sport app